2 Shtator, 2025 - 3:50 pm
Chloe Malle do të marrë postin e redaktores kryesore të Vogue America, pas largimit të Dame Anna Wintour nga pozicioni i saj si kryeredaktore, njoftoi zyrtarisht revista.
39-vjeçarja, vajza e aktores Candice Bergen, ka ndërtuar karrierën e saj në këtë revistë përmes një rruge 14-vjeçare, duke u ngjitur nga redaktore sociale në Vogue.com, ku gjithashtu drejtoi edhe podcastin e revistës, The Run Through.
Emërimi i Malle shënon fillimin e një epoke të re për Vogue – një nga revistat më me ndikim dhe më glamuroze në botën e modës.
Wintour, ikonë e lindur në Britani që ka drejtuar revistën për 37 vjet, njoftoi largimin e saj nga roli në muajin qershor. Megjithatë, ajo do të mbajë pozita të rëndësishme në shtëpinë botuese Condé Nast.
Në një deklaratë pas njoftimit, Malle tha se e kishte kaluar të gjithë karrierën e saj tek Vogue, duke punuar në çdo platformë të mundshme.
“Vogue tashmë më ka formësuar si person, tani jam e emocionuar për mundësinë ta formësoj unë Vogue-un,” tha ajo.
Wintour, nga ana e saj, u shpreh se Malle ka treguar aftësi të shkëlqyera në gjetjen e ekuilibrit mes “trashëgimisë së gjatë dhe unike të Vogue” dhe të ardhmes “në vijën e parë të risisë”.
“Jam shumë e lumtur që do të vazhdoj të punoj me të, si mentore, por edhe si nxënëse, ndërsa ajo do të na udhëheqë drejt vendeve ku nuk kemi qenë kurrë më parë,” tha Wintour.
Gjatë kohës së saj në revistë, Malle ka qenë përgjegjëse për disa projekte të profilit të lartë, përfshirë fotosesionin me Naomi Biden për dasmën e saj në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2022, si dhe një intervistë me Lauren Sánchez, përpara dasmës së saj me CEO-n e Amazonit, Jeff Bezos.
Para se të bashkohej me Vogue, Malle raportonte për pasuritë e paluajtshme për New York Observer. Më pas, si gazetare e pavarur, ajo filloi të bashkëpunonte me Vogue dhe më vonë u punësua me kohë të plotë si redaktore sociale në vitin 2011.
“Ngurroja kur po intervistohesha, sepse moda nuk ishte një nga interesat e mia kryesore në jetë, dhe doja të isha më shumë shkrimtare sesa redaktore. Por u magjepsa nga makina që ishte Vogue, dhe nuk munda t’i rezistoja,” kishte treguar Malle në një intervistë për Into the Gloss në vitin 2013.
Ashtu si paraardhësja e saj, edhe Malle nuk është shmangur nga temat politike gjatë punës së saj në Vogue. Në rrjetet sociale dhe në podcastin e saj, ajo ka shprehur mbështetje për kauzat dhe kandidatët e Partisë Demokrate.
Në një episod të vitit 2024, të transmetuar pas rizgjedhjes së Donald Trump si president i SHBA-së, Malle e shprehu haptas zhgënjimin e saj për rezultatin e zgjedhjeve.
Nuk është përcaktuar ende saktësisht se kur do të ndodhë kalimi zyrtar i rolit nga Anna tek Malle, por është e sigurt se Dame Anna nuk do të largohet plotësisht nga skena.
Ajo do të vazhdojë të mbajë rolin e Chief Content Officer për Condé Nast, një pozitë që e ka mbajtur që nga viti 2020, duke mbikëqyrur përmbajtjen e Vogue, si dhe tituj të tjerë të njohur të kompanisë si GQ, Wired dhe Tatler./BBC/KultPlus.com