Chris Hemsworth përballë frikërave, plakjes dhe rikthimit si Thor

5 Gusht, 2025 - 1:30 pm

I njohur më së shumti si perëndia nordike që mban çekiçin, Thor, në universin kinematografik të Marvel, Chris Hemsworth po kalon nga superfuqitë te shkenca, introspeksioni dhe një sërë sfidash personale, disa prej të cilave shumë më të frikshme sesa luftimi i armiqve imagjinarë.

Aktori australian 41-vjeçar është rikthyer me sezonin e dytë të dokumentarit “Limitless”, ku përballet me disa nga frikërat e tij më të thella, duke eksploruar mënyra për të jetuar më gjatë, më shëndetshëm dhe më mirë.

“Sezoni i parë pothuajse më vrau,” i tha Hemsworth BBC-së. “Dhe mendova: ‘kurrë më.’”

Në sezonin e parë, ai përjetoi sfida të rënda fizike dhe mendore për të vonuar procesin e plakjes, nga zhytyja në thellësi pa pajisje, te agjërimi, trajnimet për menaxhimin e stresit dhe ecja mbi një vinç 900 këmbë (rreth 275 metra) mbi tokë.

Megjithatë, Hemsworth zgjodhi të “torturojë” veten përsëri, nga një ndjenjë kurreshtjeje për të shtruar pyetje më të mëdha rreth kuptimit të jetës dhe plakjes.

“Ishte rraskapitëse, por gjithashtu thellësisht shpërblyese,” thotë ai. “Por tani kam më shumë pyetje sesa përgjigje!”

Në sezonin e dytë, ai vazhdon të sfidojë veten, jo vetëm fizikisht. Me ndihmën e Ed Sheeran, mëson të luajë një instrument muzikor për herë të parë, dhe i frymëzuar nga guximi i fëmijëve të tij, ngjitet mbi një digë alpine 600 këmbë të lartë.

“Kur gjendesh në mjedise të panjohura, ku përballesh me rrezik apo vështirësi, e kupton sa e brishtë është jeta dhe sa shpejt mund të ndryshojë,” thotë Hemsworth.

Një nga momentet më sfiduese për të erdhi gjatë sezonit të parë, kur një test gjenetik zbuloi se ai mban dy kopje të gjenit ApoE4, një nga nëna dhe një nga babai, gjë që e bën atë 8 deri në 10 herë më të rrezikuar për të zhvilluar Alzheimer krahasuar me ata që nuk kanë të dy kopjet.

“Ajo shenjë paralajmëruese më dha edhe më shumë motivim për t’u kujdesur për veten,” shpjegon ai.

“Ishte gjithashtu një mundësi për të ofruar edukim dhe kuptim më të mirë për njerëzit që përballen me këtë sëmundje, pasi Alzheimer është diçka që prek shumë njerëz.”

Ndërsa interesi i tij për mënyra të shëndetshme jetese është rritur, ai e pranon se ekziston një vijë e hollë mes plakjes së shëndetshme dhe biohacking-ut ekstrem, një lëvizje që kërkon përmirësimin e trupit dhe trurit përmes “manipulimit” të biologjisë.

“Do të duam të jetojmë më gjatë dhe më mirë, por me çfarë çmimi? Mund të ndjekësh rutinën perfekte, por nuk ka kuptim nëse je i izoluar dhe vetëm në shtëpi,” thotë Hemsworth.

“Unë dua të investoj energji në shëndet dhe mirëqenie, por dua edhe të shijoj jetën.”

Kjo qasje e veçon atë nga figurat më ekstreme të biohacking-ut, si Bryan Johnson, sipërmarrësi që ka shpenzuar miliona për të ngadalësuar plakjen përmes një regjimi të rreptë që përfshin dieta, suplemente dhe shkëmbim të plazmës.

“Më duket një qasje interesante, por s’kam asnjë interes ta eksploroj,” thotë Hemsworth.

“Më pëlqen të ‘valëzoj’ brenda dhe jashtë atyre botëve. Ndonjëherë provoj një gjë, herë tjetër një tjetër, pjesë të ndryshme të shkencës rezonojnë në periudha të ndryshme të jetës. Nëse je shumë i mbyllur në një mënyrë të vetme të të menduarit, i mbyll derat për mundësi të tjera.”

Duke reflektuar mbi dëshirën njerëzore për të jetuar përgjithmonë, ai shprehet se askush nuk e ka gjetur ende formulën për të mashtruar vdekjen, dhe sipas tij, askush nuk do ta arrijë.

“Duhet ta përqafojmë vdekjen,” thotë ai.

“Vuajtja vjen nga mohimi i faktit se jemi të përkohshëm, të gjithë kemi një datë skadimi. Po të të thuhej se do jetoje 200 vjet me siguri do bëheshe më i pakujdesshëm dhe më i shkujdesur. Ideja se jeta mund të merret nga ty në çdo moment është një kujtesë e bukur për të vlerësuar çdo sekondë.”

Për Hemsworth, marrëdhëniet njerëzore janë të pazëvendësueshme, dhe nëse do të jetonim përgjithmonë, lidhjet mes njerëzve nuk do kishin më të njëjtën peshë.

Aktori jeton në Byron Bay me bashkëshorten e tij, aktoren Elsa Pataky, dhe tre fëmijët e tyre. Në dokumentar, shfaqet se si zgjedhjet e tij ndikojnë jo vetëm në jetën e tij, por edhe në familjen e tij.

“Një nga arsyet që vendosa të xhiroj një sezon të dytë ishte reagimi i mrekullueshëm që mora nga fëmijët, prindërit dhe gjyshërit që e panë sezonin e parë,” thotë ai.

Përtej statusit si yll global aksioni, Hemsworth duket gjithnjë e më i tërhequr nga reflektimi i brendshëm dhe kërkimi për kuptim më të thellë në jetë.

“Kjo përvojë më kujton se çfarë po ofroj dhe çfarë po marr në këmbim,” thotë ai. “Dhe më mëson se nuk mbijetojmë dhe lulëzojmë vetëm.”

Ndërkohë që përpiqet të jetojë më mirë, Hemsworth mendon edhe për të ardhmen e karrierës së tij në aktrim.

Ai do të rikthehet si Thor në filmin “Avengers: Doomsday”, i cili pritet të dalë në dimrin e vitit 2026.

“Nuk e di nëse do të ketë një tjetër film solo,” thotë aktori. “Do të shohim si do shkojë ky, sepse tani po e shqyrtoj gjithë këtë çështje.”

“Është diçka që unë e dua shumë, ndaj… do shohim çfarë ndodh.”/BBC/KultPlus.com

Të ngjajshme