Ciceronja e vetme që rrëfen në shqip Zagrebin

3 Mars, 2021 - 6:34 pm

Durdica Ramqaj është ciceronja e vetme turistike e gjuhës shqipe në Kroaci. Mësuesja me origjinë kroate, në një rrëfim për gazetën “Dielli” tregon bashkëpunimin me shkollat shqipe në Kroaci, pasionin dhe punën e saj si cicerone turistike me fëmijët, integrimin e shqiptarëve e fëmijëve shqiptarë në Kroaci si dhe lidhjen mes kulturave të dy popujve shqiptarë e kroatë.

Një rrëfim për magjitë e Zagrebit

Zagrebi është një ndër qytetet më të bukura në Ballkan. Historia, kultura, arkitektura dhe turizmi në këtë vend janë mahnitëse. Përveç punës me grupe turistësh shqiptarë që vizitojnë Kroacinë, kënaqësinë më të madhe e ndjej me fëmijët shqiptarë kur ju rrëfej magjitë e Zagrebit. Së bashku me kolegen, nxënësit dhe prindërit caktojmë ditën dhe kohën (të shtunën) për të vizituar vendet më të rëndësishme të Zagrebit.

Bashkëpunimi me shkollat shqipe si cicerone turistike

Si cicerone turistike i ndihmoj me shumë kënaqësi shkollat plotësuese shqipe në njohjen e bukurive historike, kulturore, gjeografike etj. Bashkëpunimi më i mirë është ai me shkollën “Eugen Kumičić” nga Velika Gorica. Eugeni është shkrimtari më i lexuar kroat i kohës. Ishte shkrimtar i realizmit dhe konsiderohet si paraardhes i letersisë origjinale kroate. Ishte edhe bashkkohës i shkrimtarës, poetes dhe luftëtares për të drejtat e femrave, Marije Jurić Zagorka. Krjjimtaria e tij perfshinë romane historike, drama, tregime, ese sociale si dhe vepra me temë dashurie), në kuadër të projektit “Njohim atdheun tonë të ri”. Në këtë shkollë mbahet mësimi plotësues në gjuhën shqipe, i lejuar nga Ministria e Arsimit e Republikës së Kroacisë, për nxënësit shqiptarë të lindur këtu që shkollohen sipas programit të arsimit në Kroaci.

Njohim atdheun tonë të ri

Mësimin në gjuhën shqipe e mban arsimtarja Melita Oreskoviq, kryesisht çdo të shtunë. Ajo ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Numri i nxënësve varet nga interesimi i prindërve. Ata që regjistrohen nuk kanë mundësi ta lëshojnë mësimin gjatë vitit shkollor. Numri nuk është gjithnjë i njëjtë, ndonjëherë është më i madh apo më i vogël. Së bashku me mësuesen i njohim me atdheun e ri si nxënësit ashtu edhe prindërit e tyre 3-4 herë në vit, nga 2-3 orë (kryesisht nënat që po ashtu kanë nevojë të njoftohen me monumentet, historinë, kulturën, doket, institucionet në gjuhën e tyre). Në këtë mënyrë u ofrojmë mundësinë e integrimit të tyre në athdheun e ri, duke i lidhur me kulturat e dy popujve (kroat dhe shqiptar). Unë dhe kolega ime Melita punën e përbashkët e kemi prezantuar në 2018, në konferencën regjionale për mësimin plotësues në gjuhën shqipe, në Maribor të Slovenisë. Në Kroaci jam e vetmja cicerone turistike në gjuhën shqipe. Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë edhe kolegët në shkollat e tjera( natyrisht pas pandemisë COVID 19).

Shqiptarët në Kroaci

Shqiptarët në Republikën e Kroacisë janë të shpërndarë pothuajse nëpër të gjitha qytetet e saj. Numri më i madh është i koncentruar në Zagreb. Në Zare ka një vendbanim me prejardhje shqiptare (Arbanasi), të cilët kanë ardhur nga Shqipëria në shekullin e 16 dhe 17. Komuniteti shqiptar ka dhënë njerëz të mëdhenj nga të gjitha lemit (po përmend vetëm disa: gjeneralët Ramiz Avdyli, Tome Berisha, Rrahim Ademi, Agim Ceku, prof dr. Behlul Brestovci, Harun Miniri, Mensur Gjergjizi, Lazer Lumezi, dr. Lush Daka, dr. kardiolog Tahir Ramqaj e shumë intelektualë të tjerë, mjekë të specializimeve të ndryshme, afaristë të shumtë. E pamundur që t’i përmend të gjithë.

Kush është Durdina Ramqaj

Durdina Ramqaj Ka lindur në një fshat të Podravines, Virje (Kroaci) me 14 Maj 1947. Aty ka kaluar edhe ditet më të mira të fëmijërisë së saj. Shkollën fillore e ka vijuar në Virje e pastaj në Zagreb, ku ka kryer edhe shkollën e mesme. Disa vite pastaj i ka kaluar në Londër. Atëherë vendosi të studiojë gjuhën angleze të cilën e kreu në Zagreb në vitin 1973. Që nga shkolla fillore ka ëndërruar profesionin e mësuesit, të cilin e ushtroi pas kryerjes së fakultetit deri në daljen në pension. Gjatë studimeve u njoh me studentin shqiptar të mjekësisë Tahir Ramqaj. Pas disa vitesh lidhje, pasi kryen fakultetin, u martuan në Kosovë. Punën si mësuese e anglishtes e filloi në Shkollën fillore “Ismail Qemali” të fshatit Staradran dhe “Trepca” në Banjen e Pejës ( Kosovë), 16 vite me radhë. Pas fillimit të luftës Atdhetare në Kroaci, është kthyer dhe ka punuar në shkollën fillore “K.Š. Gjalski” e pastaj “Oton Ivekovic.” Ka nxjerrë 37 gjenerata me radhë. Pas pensionit ka kryer fakultetin “VERN” për ciceron turistik në gjuhën shqipe, kroate dhe angleze. Është cicerone e vetme turistike e licencuar në gjuhën shqipe. Gjithashtu është poete, shkrimtare, përkthyese dhe aktiviste në shumë shoqata të ndryshme: anëtare e kryesisë së shkrimtarëve dhe artistëve ” A.Shenoa”, “Kulturës së ëndrrave”, shoqatës DEA të shqiptarëve( shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë). Është anëtare e “Amës kroate”, anëtare e Forumit të intelektualëve shqiptarë në R.e Kroacisë, anëtare e ciceronëve turistikë të Zagrebit dhe shtatë prefekturave të tjera kroate. Gjithshtu është anëtare e Këshillit të arsimtarëve në gjuhën shqipe në mësimin plotësues në Republikën e Kroacisë. Ka përkthyer nga anglishtja në kroatishte veprën e H.Sarnerit Rescue in Albania (Shpëtimi në Shqipëri), veprën e Edmond Tupjes “Kur dhimbja premton dashuri” (Kad bol obećava ljubav) nga shqipja në kroatishte. Deri tani ka shkruar shtatë vëllime poezish në dialektin kajkavian ( “Prkači na dondači” – Ëmbëlsira në ylber, “Čanđavi rožđaki” – Kacabuni ngjyrë gështenjë, ”  Vetrovi svati na vožu ” – Dasmorët e erës në litar “Sjene u lancima”, – Hijet në litarë, “Leptiri slomljenih krila” – Fluturat me krahë të thyer, ”  – “Lice i nalićje iluzije”- Fytyra dhe e kundërta e saj iluzore, “Između jave i snova” – Në mes të realitetit dhe ëndrrës ). Adhuron shumë edhe trashegiminë kulturore, historike po ashtu tolerancën dhe paqen./dielli/KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme