“Çikat që s’u lindën kurrë”, paneli që shpalosi shqetësimin mbi abortet në Kosovë

11 Tetor, 2019 - 3:20 pm

Bujar Meholli

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e fëmijës vajzë dhe në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë është mbajtur paneli “Çikat që s’u lindën kurrë”, i organizuar nga Qendra për Art dhe Komunitet — Art Polis, shkruan KultPlus.

Panelistë të kësaj ngjarjeje ishin: Donjeta Morina, hulumtuese, Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave, Blerim Syla, Kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Besa Ismaili, profesoreshë në FSI, si dhe Leonida Molliqaj, hulumtuese.

Para audiencës u shpalos raporti i Ilirjana Banjskës i cili analizon abortet e nxitura në Kosovë nga viti 1999 deri më tani, të cilin e paraqiti Donjeta Morina nga KIPRED.

Për këtë raport, Morina foli gjatë para se të hapej mundësia e diskutimit. Ajo ndër të tjera theksoi se në Kosovë mungon një institucion i besueshëm mbi abortet. Morina e prezantoi raportin në fjalë, duke shprehë shqetësimin për rritjen e aborteve në vendin tonë.

“Vlerësimi brenda këtij hulumtimi ka qenë se ka pasur më shumë aborte në zonat rurale, kjo ka bërë që gratë në zonat rurale janë më të stigmatizuara sesa gratë në zonat urbane, por kjo s’do të thotë që nuk janë të stigmatizuara edhe gratë nga zonat urbane”, potencoi ajo.  

“Çdo femër mund të vendos lirshëm mbi ndërprerjen e shtatzënisë sipas kritereve të përcaktuara me ligj. Mjeket kanë të drejtë të refuzojnë abortin që kryhet në të institucion por duhet ta gjej një zgjidhje brenda atij institucioni”, tha Morina.”

Morina prezantoi hulumtimin tutje, duke shpalosur statistika nga vitet e kaluara me numrin e aborteve të kryera.

Morina theksoi se nuk ka numra të saktë të aborteve të kryera, pasi gjysma e tyre kryhen në klinika private, kurse sipas statistikave të QKUK-së thonë se janë kryer 1007 aborte, mosha e tyre ka qenë prej 20-35.

Kurse hulumtuesja Leonida Molliqaj nga ana tjetër shprehi shqetësimet e saj për këtë dukuri. “Në përgjithësi shëndeti riprodhues i grave në Kosovë, nuk e ka marrë fokusin e duhur as nga Ministria e Shëndetësisë dhe as nga shteti”, konstatoi ajo.

Kurse Adelina Berisha, aktiviste për çështje të të drejtave të grave (RrGK), kërkoi të bëhet inspektimi i klinikave private, aty ku kryhet pjesa më e madhe e aborteve.

“Aborti është i lejueshëm deri në javën e 10 të shtatzënisë. Fatkeqësia më e madhe është se ka numër të vogël të aborteve pasi abortet kryhen në mënyrë ilegale. Me të vërtetë diçka është duke u rrezikuar. Të ketë inspektim më të madh të klinikave private”, tha ajo.

Ndërsa, Blerim Syla – Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë dhe Gjinekolog, u shpreh se edukata seksuale duhet të jetë pjesë në të gjitha shkollat e vendit, dhe se nxënësit duhet të vetëdijesohen për abortet apo edhe për sëmundjet e transmetueshme.

Ky panel është bërë me qëllim të vetëdijesimit të masës, veçanërisht për gratë e moshës madhore, pasiqë ato duhet të jenë të lira të marrin vendime mbi veprimet e tyre, sidomos kur ky veprim ka të bëjë me abortin.

Po ashtu kërkohet që të ketë më shumë biseda rreth kësaj çështjeje edhe në diskursin publik sepse ajo vazhdon ende të jetë temë tabu në vendin tonë. Organizimi është mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme