11 Maj, 2025 - 6:57 pm
Çiklisti danez Max Pedersen u shpall fitues i etapës së tretë dhe të fundit të garës ndërkombëtare “Giro d’Italia 2025” në Shqipëri, që përfundoi pasditen e sotme në qytetin e Vlorës.
Duke dominuar me sprint, Pedersen ia doli në një terren jo dhe aq të lehtë të rimerrte fanelën rozë, pasi kishte triumfuar në etapën e parë, ndërsa në të dytën fitues doli anglezi Tarling.
160 kilometrat me terren kodrinoro-malor, Pedersen i përshkoi për 3 orë, 49 minuta dhe 10 sekonda.
Sa i takon renditjes, pas tij u pozicionua Corbin Strong. Orluis Aular përmbyll 3 vendet e para. Ndërkaq Brandon Rivera dhe Edoardo Zambanini mbajnë vendin e katërt dhe të pestë.
“Giro d’Italia 2025” në Shqipëri, edicioni i 108-të i turit çiklistik më të famshëm sportiv në botë, nisi nga Durrësi më 9 maj, për të përfunduar pas 21 etapash në Romë, të dielën e 1 qershorit./ KultPlus.com