Cirku italian në Berat, akrobatët dhurojnë spektakël për fëmijët e të rritur

6 Korrik, 2025 - 6:46 pm

Prej disa ditësh qyteti i Beratit është ndriçuar nga dritat magjike të cirkut italian “Marina Ofrei”.

I pozicionuar në fushën e lumit Osum, ky cirk me animatorë dhe akrobatë italianë ka dhuruar prej disa netësh të qeshura, emocione dhe spektakël për familjet beratase.

Aktorët nga shteti fqinj kanë performuar çdo natë në skenën e cirkut, ku për rreth 1-orë e 30 minuta, spektatorët kanë parë numrat ajrorë dhe akrobaci të ndryshme, kanë parë tigrat të ngjiten në skenë, ndërkohë që fëmijët janë argëtuar pa fund me dy kllounët “Banana e Briciola”.

Regjizori i cirkut Ricardo Zafatta ka pohuar në fund të shfaqjes se ata e kanë zgjedhur Beratin për të dhënë shfaqjen e tyre pasi është një qytet shumë i bukur, me një shtrirje të gjerë dhe se duke qenë një qytet turistik për ta ishte zgjedhja më optimale për të ardhur këtu.

“Publiku është shumë i ngrohtë, qyteti është shumë i bukur, po ndihemi shumë mirë. Spektakli është i kompletuar me kafshë, ekuilibristë, akrobatë dhe kllounët veçanërisht për fëmijët”, tha Zafatta për medien.

Ndërsa dy kllounët “Banana e Briciola”, Roberto Riva dhe Alex Spada janë shprehur se publiku beratas ka qenë mjaft i ngrohtë e sidomos fëmijët që janë argëtuar pa masë me ta./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme