‘Çka po sheh?’ – Homazh për të zhdukurit në Muzeun e Burgut të Prishtinës

28 Gusht, 2025 - 1:31 pm

Më 29 dhe 30 gusht 2025, në ambientet e Muzeut të Burgut të Prishtinës, “Burgu i Idealit”, do të shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur, nën moton simbolike “Çka po sheh?”. Kjo ngjarje përkujtuese, e organizuar nga organizata Molla e Kuqe me mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sjell përmes artit, mendimit dhe muzikës një reflektim të thellë për mijëra njerëzit e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, dhe për trupin si hapësirë e kujtesës, dhimbjes dhe mungesës.

Më 29 gusht, aktivitetet nisin me fjalën shqyrtuese të Orgest Azizit: “Montazhe të dritës dhe forma të (zh)dukjes së trupave”, një reflektim kushtuar veprës ikonike të Michel Foucault, “Disiplinë dhe ndëshkim: Lindja e burgut”, në 50-vjetorin e botimit të saj.
Azizi, përkthyes i librit në shqip, shtjellon mënyrën sesi Foucault e vendos trupin në qendër të proceseve politike dhe estetike të disiplinës, ndërkohë që ndriçon mekanizmat e zhdukjes përmes mjeteve të mbikëqyrjes dhe dhunës sistematike, transmeton KultPlus.

Në këtë kontekst, ai sjell në diskutim edhe punën e kineastëve si Harun Farocki (Imazhe burgu) dhe Patricio Guzmán (Nostalgjia e dritës), të cilët përmes montazhit vizual ndërlidhin panoptizmin me an-optikën, kalimin nga trupi i kontrolluar, te trupi i zhdukur.

Në datën 30 gusht, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, aktiviteti artistik merr formën e një homazhi të ndjerë përmes muzikës, artit pamor dhe dokumentarit.

Nderim Arifi, përmes koncertit në kitarë klasike “Malli i yjeve”, sjell një dialog të heshtur me trupat e munguar, duke interpretuar vepra nga Silvius Leopold Weiss, Miguel Llobet, dhe Agustín Barrios Mangoré, një udhëtim muzikor nga terri drejt dritës.

Mentor Berisha, me ekspozitën dhe instalacionin e tij artistik, ndërton një vizualitet të ndjeshëm të dhimbjes kolektive dhe mungesës së formës. Ndërsa artistja Besa Berberi, përmes ninullave të saj në kuadër të thirrjes “Trup i mbyllur – Trup i zhdukur”, i jep zë një dhimbjeje që shpesh mbetet e heshtur, asaj të qindra fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës.

Ngjarja mbyllet me shfaqjen e filmit dokumentar “Mjegull” nga Ujkan Hysaj, i cili sjell histori të familjarëve të personave të zhdukur, të mbërthyer mes kujtimit dhe pritjes së pafund. Një rrëfim prekës për ata që ende presin, që çdo trokitje në derë ta kthejnë në një shpresë, qoftë edhe në ëndërr, për rikthimin e të dashurve të tyre.

Këto dy ditë veprimtarish në Burgu i Idealit, që tashmë funksionon si hapësirë muzeale dhe reflektimi, synojnë të kthejnë vëmendjen nga historia jonë më e errët, duke i dhënë zë dhe figurë trupave të zhdukur, jo vetëm përmes statistikave, por përmes artit që flet më thellë se fjalët.

Me moton “Çka po sheh?”, ngjarja sfidon shikuesin: A jemi ende të verbër përballë dhimbjes që vazhdon? A kemi guxim të shohim, të kujtojmë, dhe të mbajmë përgjegjësi?/KultPlus.com

Të ngjajshme