Çmimi “Azem Shkreli” për vepër jetësore me gjashtë shkrimtarë në garë

20 Janar, 2020 - 9:15 am

Gjashtë propozime për çmimin kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli” i janë adresuar Ministrisë së Kulturës në konkursin e sivjetshëm, shkruan Koha Ditore.

Tetë propozime për prozë, pesë për kritikë letrare-eseistikë, gjashtë për përkthim, trembëdhjetë për poezi dhe shtatë për poezi në kategorinë e asaj për fëmijë, janë ato që do t’i shqyrtojë juria për çmimet vjetore për letërsi. Konkursi i publikuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit më 6 dhjetor të vitit të kaluar është mbyllur më 6 janar. Ministria e Kulturës është shprehur e kënaqur me totalin që arrin në 45 propozime. Fituesit do të shpallen në ceremoninë që pritet të mbahet më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Propozimet për çmimin kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli”, si dhe për çmimet e tjera për letërsi për vitin 2019 bëhen nëpërmjet nominimeve që mund të bëhen nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës, shtëpitë botuese të Kosovës, redaksitë e gazetave dhe revistave letrare-kulturore të Kosovës, asociacionet e shkrimtarëve që veprojnë brenda territorit të Kosovës, organizatat joqeveritare që merren me veprimtari kulturore në Kosovë, personalitetet me reputacion publik dhe autorët e veprave letrare.

Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës, ka thënë se këtë vit janë të kënaqur me numrin e propozimeve që ka marrë.

Sipas saj, propozimet këtë vit kanë ardhur nga shtëpitë botuese: “Rozafa”, “Fad”, “Armagedoni”, “Faik Konica”, “Buzuku”, “Beqir Musliu”, “Riza Sheqiri”, “Koliqi”, “Qendra Multimedia”, “Pema”, “OM”, “Dituria Islame”, “Ura” nga Instituti Albanologjik, PEN Qendra e Kosovës, klubi letrar “Nositi”, fondacioni “Miqtë e Bibliotekës” dhe shtypshkronja “Berati”. Emrat e të propozuarve nuk janë bërë publikë nga MKRS-ja pasi, siç ka thënë Shyti, kjo bëhet për arsye që të mos ndikohet te vendimi i jurisë, e cila ende nuk e ka emëruar.

Drejtoresha e Departamentit të Kulturës po ashtu ka thënë se në pajtim me rregulloren për ndarjen e çmimit kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli” dhe çmimet e tjera në letërsi, është e përcaktuar që çmimet të ndahen në një ceremoni më datën 17 shkurt, në nderim të Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. /KultPlus.com

Të ngjajshme