Çmimi Evropian i Poetit të Lirisë ndahet mes Shqipërisë dhe Ukrainës, Luljeta Lleshanaku befason me ‘Ujë dhe karbon’

26 Maj, 2022 - 7:45 pm

Çmimi Letrar Evropian i Poetit të Lirisë për vitin 2022 i qytetit Gdańsk të Polonisë, ndahet për herë të parë në histori mes dy fituesesh, nga Shqipëria dhe Ukraina. Vlerësimi mban zyrtarisht emrin e Luljeta Lleshanakut dhe poetes ukrainase Marianna Kiyanovska…

“Një kryevepër të plotë dhe të përfunduar”, kështu e konsiderojnë 7 anëtarët e jurisë veprën “Ujë dhe karbon” të Luljeta Lleshanakut, teksa vlerësojnë “poeten erudite, që u fal lexuesve në të gjithë botën një poezi të kristaltë e të pametë”. Ndërsa shtojnë më tej se “Tema e poezive të Lleshanakut është një përshkrim emocionues i gjetjes së lirisë në botën e skllavërisë ku ajo lindi dhe u rrit”.

“Argumenti i jurisë më lumturon barabar me çmimin. Në njëfarë mënyre boshti i librit është poezia “Ujë dhe karbon” që është ndër të pakta poezi të mija të drejtëpërdrejta për vuajtjet në diktaturë. Por mendoj se kanë vlerësuar edhe nuancat e shprehjes së lirisë në poezitë e tjera. Pra nëse kjo është taam liri politike, poezitë e tjera kanë të bëjnë me iluzionin e lirisë, me lirinë dhe identitetin, pra t’i gjen perceptime të ndryshme të lirisë në kohën tonë”, thotë poetja Lleshanaku.

“Ujë dhe karbon” i përkthyer me mjeshtëri nga Dorota Horodyska, është libri i dytë i Lleshanakut në polonisht.  Kjo poezi, siç thuhet në motivacion krijon përshtypjen e përsosmërisë.

“E vlerësoj në veçcanti faktin se kjo poezi që flet për mungesën e lirisë në diktaturë ka të bëjë me një realitet të cilin polakët e njohin mirë. Pra është shumë e vështirë t’i habisësh, për më tepër që anëtarët e jurisë i përkasin një brezi që e njohin mirë epokën komuniste, edhe pse  nuk mund të bëhen të bëhen krahasime midis komunizmit në Poloni dhe komunizmit stalinist në Shqipëri. Pra, nëse ja kam arritur të realizojë një poezi të tillë dhe në një farë mënyre t’i impresionoj anëtarët e jurisë do të thotë që kam mundur të tregoj një histori autentike, por e sjellë në një këndvështrim filozofik, të marrdhënies midis filozofisë materialiste të epokës komuniste dhe vlerave morale të shoqërisë”, shton më tej poetja.

Lleshanaku, po me përkthimin e Horodyskas, ka qenë finaliste e Poetit EUropian të Lirisë një dekadë më parë me vëllimin “Fëmijët e natyrës”, kur për përshtatjen e saj Dorota, u vlerësua me çmimin prestigjioz të revistës  Literatura na Śëiecie.

“Kur dëgjuam për  hapjen e garës në këtë edicion të 7-të menduam Dorota mendoi të provonim dhe u interesua pranë jurisë nëse mund të konkuronim sërish me poezinë e Lleshanakut, dhe ata  i thanë: “Mezi po e presim!” Kështu që morëm pjesë”, tregon poetja.

Poetja ukrainase Kiyanovska u përzgjodh si fituese me “Zërat e Babyn Yar” një poemë vajtuese për Luftën. Ky vlerësim, shpërblen edhe përkthyesit e vëllimeve të përzgjedhura dhe jepet  njëherë në dy vjet. Ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet në Gdańsk më 10 qershor gjatë Festivalit Evropian të Poetit të Lirisë që mbahet në datat 9-11 qershor.

Por, pas përzgjedhjes nga Akademia Gjermane e Gjuhës dhe e Poezisë, ndër poetët e rekomanduar për këtë vit e vlerësimit në Poloni… për Lleshanakun propozimi i radhës vjen nga Franca.

“Më është bërë një ftesë nga një botues francez për botimin e një vepre në frëngjisht. Ky është në proces, të shohim si do të shkojë sepse fati i botimeve është një aventurë në vete”, thotë poetja…

Pas një shkëputje të imponuar nga rrethanat, Lleshanaku rrëfen se këto kohë ka rinisë të shkruajë. Poetja ka qenë pjesë e një programi të Fondacionit Landis & Gyr, që u ka mundësuar disa artistëve të krijojnë një rezidencë në Zug të Zvicrës.

“Kam shkruar gjatë qëndrimit atje, është çka më bën më shumë të lumtur”, tregon Lleshanaku.

Këto ditë poetja shqiptare është e ftuar në edicionin e 44- ët, të “Solothurn Literature” në Zvicër që mbahet nga 27-29 maj./Shqiptarja.com/ KultPlus.com

Të ngjajshme