‘Çmimi i mirënjohjes’ për fizikanin Artan Boriçi, pas vdekjes

23 Prill, 2022 - 3:31 pm

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtës së Autorit u mbaj ceremonia e “Çmimit të mirënjohjes” të panairit të parë Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, i organizuar në kuadër të veprimtarive kushtuar 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

“Çmimi i mirënjohjes” iu dha shkencëtarit të shquar akad. asoc. Artan Boriçit, që u nda nga jeta një vit më parë, për veprën “Contributions in Physics, Applied Mathematics and computer Secience” (vëll. I-II) (Kontribute në fushën e fizikës, matematikës së zbatuar dhe shkencave kompjuterike) me motivacionin: Vepër origjinale; rezultat jetësor i kërkimeve më të suksesshme të autorit; cilësisht të krahasueshme me arritjet më të vlerësuara shkencore në fushat e fizikës së thërrmijave elementare, matematikës së aplikuar dhe shkencat kompjuterike, në rajon e në Europë; produkt-model i studiuesit shkencor të mirënjohur, brenda e jashtë vendit dhe shembull inkurajimi për brezat e rinj të kërkuesve.

Ky çmim iu dorëzua bashkëshortes së të ndjerit Boriçi nga kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akad. Mehmet Kraja.

Artan Boriçi punoi me sukses të merituar e të shpërblyer për të studiuar optimizimin numerik të kontratave të tipit amerikan. Ai dha kontribute matematikore edhe në mjedise e fusha ku kishte përfunduar procesi i superkompjuterizimit, duke pajtuar sistemet klasike përllogaritëse me programimin në inteligjencën artificiale.

Në Shqipëri ai ka studiuar në thellësi përdorimin e rrjetave nervore artificiale në parashikimin e humbjeve të mëdha të kompanive risiguruese. Ai është bashkëpropozues i një formulimi të ri në rrjetën kubike të thjeshtë, që sot citohet pikërisht me emrin Boriçi-Krojc. Studimet e tij janë pika reference brenda dhe jashtë vendit./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme