Çmimi Nobel për Mjekësi shkon te tre shkencëtarët që zbuluan virusin Hepatit C

5 Tetor, 2020 - 1:21 pm

Tre shkencëtarët që kanë zbuluar virusin Hepatit C e kanë fituar Çmimin Nobel për Mjekësi.

Fituesit janë britaniku Michael Houghton dhe amerikanët Harvey Alter e Charles Rice, shkruan BBC.

Komiteti i Çmimit Nobel ka thënë se zbulimet e tyre përfundimisht “kanë shpëtuar miliona jetë”.

Virusi është shkaktar i zakonshëm i kancerit të mëlçisë dhe arsye kryesore pse njerëzve u nevojitet transplanti i mëlçisë.

Në vitet 1960-ta, kishte shqetësim të madh se njerëzit që po marrin transfuzion të gjakut të dhuruar, po marrin hepatit kronik nga një sëmundje misterioze e panjohur.

Komiteti i Çmimit Nobel ka thënë se transfuzioni i gjakut në atë kohë ishte si “ruletë ruse”.

Mirëpo kontrollime shumë më të ndjeshme të gjakut nënkuptojnë se rastet tash janë eliminuar në shumë pjesë të botës, dhe ilaçe efikase anti-virale po ashtu janë zhvilluar.

“Për herë të parë në histori, sëmundja tash mund të shërohet, duke rritur shpresat që të eliminohet virusi Hepatit C nga bota”, është thënë nga komiteti.

Mirëpo, virusi ende infekton 70 milionë njerëz në vit dhe shkaktun vdekjen e rreth 400 mijë. / KultPlus.com

Të ngjajshme