Copëza ditari 22-24 mars 1999: Babi na qetësonte me fjalë e mami thërriste të afërmit për t’i pyetur a janë mirë

24 Mars, 2021 - 12:20 pm

Profesoresha e muzikës dhe aktivistja Besa Luzha, sot në 22 vjetorin e bombardimeve të NATO-a kundër forcave serbe, ka ndarë me publiku një pjesë nga ditari i saj nga ajo kohë bashkë me një fotografi që e shpërfaq frikën e madhe që po përjetonin njerëzit, përcjellë KultPlus.

Luzha shpalos frikën që i kishte kapluar në atë kohë dhe shpresën për jetesë.

Më poshtë po ju sjellim të plotë postimin që Besa e ka ndarë me ndjekësit e saj në facebook:

Më 22-23 mars 1999, sapo isha kthyer nga një vizitë studimore në Universitetin e Muzikës dhe të Artit Dramatik në Graz, si pjesë e delegacionit nga Fakulteti i Arteve-Dega e Artit Muzikor, UP, të udhëhequr nga Profesoresha Lejla Pula.

Miqtë tanë në Graz, çuditeshin, si disa nga ne mu një ditë para ditës së paralajmëruar ne donim të ktheheshim në Kosovë.

Unë kisha Blendën, vajzën 4 vjeçare që e kisha lënë në shtëpi. As që mendoja ndonjë opsion tjetër.

Më 24 Mars 1 gjatë ditës, mbajta mësim piano me nxënësen time Dea Gashin, në shtëpinë e familjes së Mesut dhe Diana Gashit.

Pas orës së pianos, në oborr bashkëbiseduam, uruam Mesutin për ditëlindje, dhe duke pirë kafe shqyrtonim opsionet, të rrimë në shtëpitë tona apo të ikim, të largohemi. Unë, sapo isha kthyer, e familja Gashi kishte mendimin që nuk kemi ku të shkojmë e si ti lëmë shtëpitë tona.

U ndamë me dëshirën që të vazhdojmë orët e pianos me Dean. Ajo më përqafoi, ashtu si edhe dy motrat e saj dhe Trimi i vogël 3 vjeçar që më donte shumë si mësuese që isha.

Me Blendën shkuam te shtëpia e gjyshit Isak, në Aktash.

Në shtëpi, kishin filluar përgatitjet për tu mbrojtur nga ajo që pritej të ndodhë atë mbrëmje.

Ne nuk e dinim si do të bëhet bombardimi edhe pse të gjithë shpresonim dhe e kërkonim aq shumë këtë veprim nga Nato.

Krejt çka kishim dëgjuar e dinim ishin përvojat nga bombardimi i Sarajevës. Mbyllja e xhamave me batanije, përgatitja e pakove me ushqim rezervë dhe çantat e udhëtimit për secilin në rast ikje me gjërat më të nevojshme dhe nga pak para e numra telefonash të të afërmeve. Si nënë e re, preokupimin kryesor e kisha si të mbroj fëmijën tim.

Pak para orës 19.00 motra ime Bardha thirri në telefon, ajo nuk ishte në Kosovë dhe me ngashërim na porositi të kemi kujdes sepse, siç tha ajo, aeroplanët e NATO-s u nisën nga baza në Itali.

Ndërkohë unë po i shikoja vetë në TV, aeroplanët duke u nisur, në Euro Neës

“E di motër”-i thashë. “Po i shoh në TV”.

U përshëndetëm me dëshirën që gjithçka të përfundojë mirë dhe të shpëtojmë e te bashkohemi.

Instinktivisht me të ndërprerë bisedën, veprimin e parë që bëra, e futa vajzën në një skutë në mes divanit dhe stufës dhe e mbulova me batanije.

Filluan sulmet. Një ndjenjë e çuditshme e përzier gëzimi, frikë, pasigurie. Të gjitha përnjëherë.

Pranvera, motra më e re, se di ku e gjeti idenë dhe mori aparatin e në ato çaste veç fotografonte.

Babi na qetësonte me fjalë e mami thirrte të afërmit me telefon për ti pyetur a janë mirë. Papritmas një krismë shumë e madhe u dëgjua saqë e dridhi gjithë shtëpinë. Vajza doli nga skuta e frikësuar. E mora e përqafova fort e ndonëse vet e frikësuar deri në palcë, përpiqesha ta siguroja atë që gjithçka do të përfundojë mirë.

Të nesërmen morëm lajme të kobshme për vrasjen e Bajram Kelmendit me të bijtë, e të tjerë gjithandej Kosovës, si hakmarrje ndaj bombardimeve.

Pas disa ditëve të bombardimeve, mora edhe një lajm të kobshëm. E gjithë familja Gashi ishte shuar në gjumë, kur bombat e NATO-s goditën Postën në Prishtinë, e shtëpia e tyre ngjitur, nuk e përballoi goditjen. Vetëm Trimi me Gjyshen shpëtuan. Dea, nxënësja ime bukuroshe nuk do të mësonte me piano.

Edhe shumë njerëz do të pësonin nga vrasjet, persekutimet, masakrat dhe dhunimet që forcat serbe do t’i bënin deri në fund të bombardimeve, por edhe nga goditjet e gabuara të avionëve (rasti në Meje).

Të gjithë ata dhe ato u bënë kurban i lirisë që ne sot e gëzojmë. Prandaj, të respektojmë sakrificën e tyre, e të ndërtojmë të ardhmen për të cilën ata u flijuan.

24 mars 2021

E izoluar ende në shtëpi, duke u marrë me pasojat e Covid-19, po e kujtoj atë ditë, 22 vite më parë. Me gëzim, që kemi mbijetuar dhe sot jetojmë e punojmë të lirë. Shumë qytetarë të Kosovës nuk e patën këtë fat.

Pa marrë parasysh problemet, dështimet, sfidat që i përjetuam gjatë këtyre 22 viteve, Ne jemi me fat. Por edhe me përgjegjësi.

Të respektojmë gjakun e derdhur dhe ta bëjmë ëndrrën e shumë qytetarëve të Kosovës-realitet.

Për gjeneratat e reja, për të ardhmen.

Blenda, vajza ime, së shpejti do të bëhet nënë, për herë të parë. Ajo, shpresoj, nuk do ta ketë asnjëherë friken dhe brengën për fëmijën e saj si unë për të më 24 mars 1999.

Por ajo do të brengoset se fëmija që do të sjellë në jetë, në çfarë Kosovë do të jetojë, si do të jetë shëndeti, arsimimi i saj, a do të gjejë punë etj.

Ajo edhe sot brengoset, a do të shpëtojë pa u infektuar nga Covid-19, kur të shkojë në pushim të lindjes, a do të mbetet pa punë dhe pa të ardhura?

Jeta vazhdon, çdo gjeneratë do ti ketë brengat dhe betejat e saj.

Të paktën ne që patëm fatin të mbijetojmë vitin 1999, jemi me fat edhe të brengosemi, por kryesorja jetojmë, dhe jetojmë të lirë.

Respekt të gjithë dëshmorëve e viktimave të lirisë që ne e gëzojmë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme