Daci dhe Dhomi, akademikë të jashtëm të ASHSH

26 Shkurt, 2022 - 10:31 am

Në mbledhjen e Asamblesë mbajtur dje, akademikëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat M. Dacit dhe Rauf Dhomit iu dha statusi akademik i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Akad. Nexhat Dacit iu dorëzua diploma nga akad. Rexhep Meidani, ndërsa akad. Rauf Dhomit iu dorëzua diploma nga kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Gjinushi.

Akademik Nexhat M. Daci është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës që nga viti 1993 në fushën e kimisë; anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve që nga viti 2014, anëtar i Akademisë Europiane për Çështje të Mjedisit prej vitit 1987; anëtar i Shoqatës Amerikane të Kimistëve prej vitit 1985; me një karrierë akademike dhe universitare të shquar brenda dhe jashtë Kosovës; autor i rreth 100 artikujve shkencorë, një pjesë e madhe e të cilëve të indeksuar ndërkombëtarisht përmes listës Scopus dhe platformës Web of Science; me mbi 200 kumtime shkencore në një shumicë universitetesh europiane; autor monografish dhe tekstesh universitare; fitues çmimesh e mirënjohjesh kombëtare e ndërkombëtare; veprimtar në jetën publike me merita gjerësisht të vlerësuara, si Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të saj.

Akademik Rauf Dhomi është anëtar i Akademisë se Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që prej vitit 1993, kryetar i seksionit të arteve dhe themelues i konservatorit artistik pranë saj; kompozitor e dirigjent i mirënjohur; figurë qendrore në këtë fushë krijimtarie në Kosovë dhe në gjithë botën shqiptare; autor i mbi 300 veprave muzikore të formatit të vogël e të madh; për disa prej tyre edhe themelues; me një larmi të përplotë të llojeve e nënllojeve tradicionale dhe veçanërisht me ndihmesa origjinale në trashëgiminë e veprave skenike, të luajtura në Kosovë, në Shqipëri dhe në disa vende të Ballkanit; i shquar për gjuhën e komunikueshme muzikore mbështetur në stilin kombëtar dhe në rrjedhat europiane; i identifikuar me vepra të tilla origjinale si Goca e Kaçanikut, Dasma arbëreshe, E bukura More, Vatra e urtësisë dhe Uratë vajzave; fitues i disa çmimeve, dekoratave dhe mirënjohjeve kombëtare e ndërkombëtare./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme