“Dallimet që na bashkojnë”, projekt i Kinotekës së Maqedonisë së Veriut dhe AQSHF-së

12 Prill, 2024 - 4:30 pm

“Dallimet që na bashkojnë” është një program i organizuar nga Kinoteka e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Arkivi Qendror Shtetëror të Filmit, kuruar nga studiuesi Arsim Leskovica me shfaqje dhe diskutim mbi 3 filma.

Për t’u shfaqur në Kinotekën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Shkup, janë përzgjedhur filmat: “Lulëkuqet mbi mure” (Anagnosti, 1976), “Uji i madh” (Ivo Trajkov, 2004) si dhe “400 goditje” (Francois Truffaut, 1959).

AQSHF shkruan se, përveç arsyeve tjera, këta filma janë zgjedhur kryesisht edhe për “ngjashmëritë dhe paralelet” e tyre në tematikë, si dhe në realizimin dhe qasjen e tyre filmike. Por, gjithashtu është e rëndësishme të theksohet se filmi “Lulëkuqet mbi mure” së fundmi është digjitalizuar dhe restauruar nga AQSHF në rezolucionin 4K, kurse filmi “Uji i madh” këtë vit feston njëzet vjetorin e premierës së tij. Dhe sigurisht, filmi “400 goditje” i Trufosë, sipas revistës franceze të filmit “Cahiers du cinema”, është më shumë se një kryevepër dhe është një nga filmat më emblematikë të periudhës së pasluftës të prodhimit të filmit francez.

Shfaqjet e filmave do të realizohen më 25, 26 dhe 27 prill 2024. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme