Dashnia e vjetër me Armend Rexhepagiqin

20 Korrik, 2025 - 12:58 pm

Shumë shpesh kam parë artikuj të ndryshëm botëror për radhët e gjata të qytetarëve për të takuar një shkrimtar, për të prerë një biletë për koncerte të operave, për të takuar ndonjë futbollist, apo ndonjë figurë të njohur.

Shkruan: Ardianë Pajaziti

Kur them radhë, e kam fjalën rresht për dy, dhe jo turmë. Se turma kemi parë shumë edhe në Kosovë. Por mbrëmë, këtë radhën rresht për dy e pashë me sytë e mi. Radha ishte shumë e gjatë, prerjen e bënin semaforët, për të vazhduar më tutje drejt ngjalljes së emocioneve të fshehura.

Shumica gjeneratë e viteve të 70-ta, por që kishte edhe mbi këtë moshë e deri te moshat më të reja pritnin në radhë për tu futur në koncertin e rikthimit të këngëtarit Armend Rexhepagiq, dhe përderisa pritnin, ishte një ndjenjë ndryshe.

Takonin, takonin dhe takonin bashkëmoshatarë, shokë të dikurshëm të klasave, të shkollave, të aktiviteteve të ndryshme, që nuk ishin parë për shumë vite. Armendi i kishte mbledhë, sikur të ishte një takim gjenerate, takim nostalgjie, takim i rinisë!

E pashë një burrë afër të 50-ave që për herë të parë merrte pjesë në një koncert, dhe se këtë vendim e kishte marr vetëm për kujtimet e këngëve të Armend Rexhepagiq, një grua me karrocë që e shoqeronin familjarët e saj, dhe një tjetër që festonte datëlindjen e 50-të, dhe pikërisht për datëlindjen e tij, e gjithë Prishtina kumbonte “Krejt Prishtinën për ditëlindje.

“Harrova” “Shkel” “Oj Dude, Dudie” ishin këngët që i këndonte publiku, edhe pa Armendin, por edhe kënga e re “Dashni e vjetër” ishte ngjizur në memorien e adhuruesve të tij, që kumbonte në hapësirën e parkingut të Prishtinës, që për një natë të vetme shndërrohet në një energji Prishtine, për tu kthyer sërish në një hapësirë pa jetë.

Se nëse Armendi është brenda shijes së secilit, është vështirë të thuhet, se artistët kanë audienca të ndryshme, por se është kujtesë kolektive, definitivisht po.

Mbrëmë, prindërit që luftojnë me fëmijët e tyre për cështje adoleshence, për nje moment u shnderruan po në ata adoleshentë. Burra e gra të rritur me një shpirt të rinuar!/KultPlus.com

Të ngjajshme