24 Korrik, 2025 - 7:59 pm
Historia, nëpër shekuj e periudha të ndryshme, na përballë, ndër të tjera, me rrënime të dashurive të mëdha. Këto dashuri, që pësojnë funde të padëshirueshme tragjike, vijnë shpesh si shkak i ndasive të mëdha shoqërore: kufijve etnikë, përkatësive fetare, ose normave kulturore.
Të dashurosh ‘tjetrin’, atë që vjen nga një ‘botë tjetër’, është perceptuar si tradhti, si kërcënim ndaj ekzistenës e identitetit. E pikërisht për këtë arsye, shumë dashuri janë detyruar të heshtin, të fshihen, ose të marrin fund përpara se të jetohen plotësisht.
Por historia nuk është vetëm kujtesë e dhimbjes, ajo është edhe dëshmi e rebelimit. Në rrjedhën e saj hasim edhe dashuritë që nuk u dorëzuan, ato që guxuan të përballen me rregullat dhe t’i sfidojnë kufijtë. Dashuritë rebele, të sinqerta, të papërkulura, ndonjëherë edhe të egra. Dashuri të tilla, që nuk kërkojnë vetësakrificën, por rrënojnë idenë e pamundësisë.
Pikërisht një rrënim të tillë e dëshmoi edhe njëherë kalimi modern i flamujve e kufijve i Kleofina Pnishit e Benjamin Pavardit.
Aktorja dhe modelja nga Gjakova, Kleofina Pnishi, dhe futbollisti francez Benjamin Pavard u martuan në një ceremoni intime, buzë brigjeve të bukura të Amalfit në Itali, e që më shumë se një dasmë, është një triumf i dashurisë mbi dallimet.
Një lidhje që filloi si një miqësi e qetë, tetë vite më parë, u kurorëzua në një prej dasmave më të veçanta të këtij viti, transmeton KultPlus.
Në një intervistë ekskluzive për Vogue, Kleofina ndau emocionet dhe rrëfime të pathëna më parë rreth historisë së tyre. “Gjithçka nisi si një lidhje e heshtur, një miqësi që u shndërrua shpejt në diçka të thellë,” tha ajo me sinqeritet, duke zbuluar rrënjët e lidhjes që sfidoi kohën dhe distancën.
Çifti kishte një dëshirë të qartë për këtë ditë të veçantë, ta pasqyronte sa më shumë shpirtin e tyre dhe të ishte e ngarkuar emocionalisht. Ceremonia, e kuruar me detaje nga organizatorja italiane Silvia Bettini, ishte një përzierje e thjeshtësisë me elegancën. “Më shumë se gjithçka tjetër, dëshironim që të ftuarit tanë të ndienin dashurinë kudo,” tregoi Kleofina për momentin magjik që kishin krijuar.
Në thelb të gjithë dasmës veçantia binte mbi moton: “Dashuria triumfon mbi gjithçka”, një fjali që Kleofina zgjodhi ta qëndiste në latinisht në brendësi të fustanit të bardhë, duke e shndërruar atë në një simbol të përjetshëm të premtimit të tyre.
Kjo nuk është vetëm një histori dashurie, por një shembull që përmbys paragjykimet dhe ndarjet etnike e kulturore. “Dashuria e vërtetë nuk ka nevojë për zhurmë, vetëm për zemër,” u shpreh Kleofina në përmbyllje, një fjali që qëndron si thelb i gjithë rrëfimit të tyre.
Në rrënimin e ideve të pamundësisë, kjo martesë ndërtoi një hapësirë të re, ku dashuria nuk pyet për etni, për komb, për prejardhje, por vetëm për njeriun përballë./KultPlus.com