Debat në Bibliotekën e Lubjanës për veprën “Kosova” të historianit Jusuf Buxhovi

4 Dhjetor, 2019 - 11:05 pm

Në Bibliotekën e Lubjanës këto ditë u zhvillua një debat në gjuhën angleze për veprën “Kosova” të historianit të njohur Jusuf Buxhovi.

Për veprën foli albanologu i shquar slloven Drago Flis.

Me qëllim të afirmimit të vlerave historike dhe kulturore të Kosovës dhe prezantimin e tyre tek populli slloven, Shoqata e miqësisë shqiptaro sllovene Dardania në bashkëpunim me bibliotekën “Prežihov Voranc”
të qytetit të Lubjanës, kohë më parë, organizoi mbrëmje kulturore në të cilën u debatua për veprën historike “Kosova” të autorit Jusuf Buxhovi, të përkthyer në gjuhën angleze.


Të pranishëm në këtë mbrëmje ishin figura të shquara të shkencës dhe artit si: historian, gjuhëtarë, gazetarë, hulumtues shkencor, student dhe dashamirë të librit. Për vlerave shkencore dhe historike të librit “Kosova” foli albanologu i shquar slloven Drago Flis, mik dhe punëtor i palodhur i çështjes shqiptare. Ai theksoi se vepra “Kosova” vije në arenën ndërkombëtare pas një pritje të gjatë, që nga vepra e Noel Malcolm-it, dhe se autori Jusuf Buxhovi ka merita të mëdha në sjelljen e së vërtetës për Kosovën dhe historinë e saj nga lashtësia deri tek pavarësia e saj.

Gjatë shtjellimit të prejardhjes së shqiptarëve dhe ilirëve mbrojti me këmbëngulje tezën Iliro-Pellazge të autorit dhe në mënyrë kronologjike e të thjeshtë e sqaroi para të pranishmëve. Një vend të rëndësishëm në fjalën e albanologut Flis zuri edhe gjuha shqipe si pasardhëse e gjuhës ilire për të cilën tha se është shumë me rendësi të studiohet për faktin se ajo është një gjuhë shumë e lashtë dhe se përmes saj mund të hulumtojmë më shumë antikitetin.


Të pranishmit ishin shumë kureshtar për të bërë pyetje nga më të ndryshmet. Në pyetjen se përse në Slloveni nuk kemi fare informacion për Ilirët, albanologu Drago Flis u përgjigj, se sllovenet nuk dëshirojnë ta pranojnë faktin se dikur në këto troje ka jetuar dikush tjetër pra Ilirët, këtë lloj injorimi dhe mos pranimi të fakteve e shohim nga librat shkollorë e deri tek ata akademik, po ashtu nënçmimi i shqiptarëve në Slloveni vjen si pasojë e kësaj mosnjohje apo refuzimi të njohjes. Iniciativën e shoqatës për të promovuar vlerën e lashtë kulturore dhe historike dardane të popullit të Kosovës nëpërmes fakteve të sjella nga libri “Kosova”, duhet admiruar dhe çmuar dhe duhet të jetë shembull për të tjerët, se si përmes veprave të tilla afirmohet dhe ruhet identiteti kombëtar në një vend evropian.


Në fjalën përshëndetëse të saj, drejtoresha e bibliotekës së qytetit të Lubjanës Barbara Marinčič falënderoi shoqatën Dardania për bashkëpunim, prezantim të librit dhe dhurimin e tij lexuesve slloven për tu informuar më shumë mbi historinë, kulturën dhe lashtësinë e popullit të Kosovës, për të cilin siç tha ajo »gjeneratat e reja në Slloveni dinë shumë pak«. Një falënderim të veçantë ia dedikoi autorit të librit i cili me punën e tij hulumtuese dhe shkencore ka arritur që të shkruaj një vepër të tillë.
Në fund të mbrëmjes kulturore, kryetari i shoqatës së miqësisë shqiptaro–sllovene Dardania dr. Agron Millaku, në emër të shoqatës dhe autorit të librit dhuroi disa komplete librash për bibliotekat e qytetit të Lubjanës, qytetit të Koprit dhe Mariborit, si dhe për disa biblioteka Universitare.
Prej bibliotekave të qytetit të Lubjanës që pranuan librin ishin bibliotekat: Prežihov Voranc, Otona Župančiča, Bežigrad, Jožeta Mazovca, Šiška dhe biblioteka Slovanska. Nga ato universitare që pranuan librin ishin biblioteka e fakultetit filozofik katedra për histori, biblioteka kombëtare Universitare (NUK), biblioteka e Institutit për arkeologji ( SAZU).


Në shenjë falënderimi për përkrahjen shumëvjeçare në çështjen shqiptare dhe afirmimin e shtetit të Kosovës, libri më herët iu kishte dhuruar edhe disa personaliteteve të shquara sllovene si: kryetarit të Partisë Demokratike të Sllovenisë Janez Janša, ish eurodeputetit slloven Jelko Kacin, Dr. Franc Križnar muzikolog, Dr. Marjeta Šašel Kos arkeologe, Dr. Salvator Žitko kryetar i shoqatës së historianëve të jugut të Primorskës. Mbrëmja u mbyll me një koktej për mysafirët. /KultPlus.com

Të ngjajshme