‘Defender Europe 2025’, Kurti: Kosova më e fortë se kurrë, drejt NATO-s me hapa të sigurt

3 Qershor, 2025 - 5:41 pm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot Babaj të Bokës ku po zhvillohet ushtrimi ndërkombëtar fushor “Defender Europe 2025”. Ai vlerësoi pjesëmarrjen e Ushtrisë së Kosovës krah për krah me ushtritë e vendeve anëtare të NATO-s, duke theksuar se Kosova po dëshmon aftësinë dhe gatishmërinë e saj për të qenë pjesë aktive e aleancës, përcjell KultPlus.

Kurti theksoi rëndësinë e vendosjes së Komandës së Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane në aeroportin ushtarak të Gjakovës, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të besimit dhe bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në dhe NATO-n.

Në vijim gjeni postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Bashkë jemi jo vetëm të fortë, por shumë më të fortë. Shteti i Kosovës kurrë nuk ka qenë më i fuqishëm dhe më i sigurt.

Sot ishim përsëri në Babaj të Bokës, për të parë nga afër ushtrimin fushor ndërkombëtar Defender Europe 2025, aty ku ushtarët tanë po marrin pjesë krah për krah dhe si nikoqirë të ushtrive të shteteve anëtare të NATO-s. Për dallim nga vitet e tjera, sivjet, në kuadër të këtij ushtrimi, Komanda e Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë e vendosur në aeroportin tonë ushtarak në Gjakovë, prej nga ka drejtuar të gjitha brigadat që kanë operuar në Evropën Juglindore.

Po vërtetojmë çdo herë e më shumë fuqinë dhe aftësitë tona, si dhe ndërveprueshmërinë që kemi me NATO-n, dhe po dëshmojmë se anëtarësimi ynë në aleancën ushtarake veri-atlantike nuk është vetëm për dobinë tonë, por edhe për kontributin që mund të japim.

Krenarë me ushtarakët tanë të zotë dhe mirënjohës gjithmonë për partnerët që i mbajmë pranë e me të cilët punojmë bashkë./KultPlus.com

Të ngjajshme