Deputeti suedez ia dhuron Kosovës 200 euro për ta luftuar koronavirusin

15 Prill, 2020 - 11:02 am

Magnus Jacobsson deputet në parlamentin suedez, ka dhuruar 200 euro për Kosovën për ta luftuar koronavirusin Covid-19.

Në një njoftim në Facebook, ai ka njoftuar se i është përgjigjur thirrjes për ndihmë nga Kosova.

“Kam shumë shoqëri që vijnë nga Ballkani. Fatkeqësisht, janë të prekur me koronavirusin. Republika e Kosovës, një ndër vendet e prekura, bëri thirrje publike për ndihmë financiare gjatë kësaj krize. Vendosa t’ju ndihmoj me 200 euro”, ka njoftuar ai.

KOHA e ka konfirmuar edhe përmes vet atij.

Në një përgjigje për Kohën, Jacobsson tha se shuma prej 200 euro shpreson që sado pak të kontribuojë në situatën aktuale me pandemi në Kosovë.

“Shpresoj ta menaxhoni situatën dhe sa më shumë njerëz t’ju ndihmojnë. Kam shumë shoqëri në Kosovë, desha edhe unë të ndihmoj disi”, tha ai.

Duket se tashmë veç kanë nisur ndihmat nga diaspora për Kosovën, pas thirrjes së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, që ta ndihmojnë Kosovën financiarisht në kohën kur po përballet me pandeminë e koronavirusit.

Po ky deputet suedez, Magnus Jacobsson gjatë 2019-s pati njoftuar se kishte dorëzuar kërkesë për interpelancë në parlament, ku do të diskutohej çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën. /KultPlus.com

Të ngjajshme