1 Shtator, 2025 - 11:54 am
Botuar në revistën “Kult”, tetor 2006
“Filmi është një art kohor. Nuk ngjan me një pikturë, por është si një muzikë simfonike. Jashtë kohës industriale, filmi është një kohë tjetër, pa rregulla të përcaktuara”. Janë mendimet e para që shkëmbejmë me kineastin Dhimitër Anagnosti. I “rehatuar” në poltronin e shtëpisë së tij, ka pranuar të flasë për revistën “Kult” (duke e cilësuar paraprakisht se nuk do të jetë një intervistë), duke shembur mitin e regjisorit hermetik me median. Në këtë shkrim vijnë për herë të parë disa nga mendimet e tij për procesin filmik, filmat e prodhuar, raportin mes fjalës dhe imazhit, teoria e fillesës në një realizim filmik, punën nën presionin e diktaturës, uljet dhe ngritjet e kohës.
Nga Milena Selimi
Ka kërkuar para së gjithash të tregojë histori rreth njeriut, karakterit njerëzor, individit universal, duke e çuar rrëfimin filmik drejt “energjisë së tij vitale”. Ka dashur të tregojë njeriun, në të cilin bashkëjeton gëzimi dhe hidhërimi, dashuria dhe urrejtja, zilia dhe intriga, njeriun me skllavëritë e momentit (nëpërmjet gjetjes- metaforë në sistemin komunist) dhe, sot, pavarësisht sistemit është përpjekur të gjejë tek ky njeri aspiratat e tij të mëdha për të ecur përpara, ikje-ardhjet dhe rrënjët në vendin e origjinës. Çdo film, (në fakt rreth 19 si regjisor) në të vërtetë ka hapur porta të reja, duke na lejuar të hyjmë në kompleksin e universit të regjisorit, që në qendër të gjithçkaje vendos njeriun, karakterin njerëzor, me frikërat e tij, luftën dhe përpjekjen për të qenë i lirë dhe i lumtur.
Për këtë arsye, profesionalizmi i autorit, aftësia e tij për të ndërtuar në detaje çdo pasazh të parabolës artistike krijuese, ngjyrat e forta të dekorit të kontrasteve, e bëjnë unik këtë regjisor të mençur dhe të rreptë, kritik ndaj vetes dhe gjithçkaje që ndodh në sheshxhirim, të pakfjalshëm dhe të pakapshëm në kërkimet e tij filmike, e bëjnë të ekzistojë përgjatë një 40-vjeçari, një kinema me emrin Anagnosti. Një kërkim i vazhdueshëm rreth njeriut, brenda tij dhe jashtë tij, gjithmonë e më preciz në detajin. As më shumë dhe as më pak, por një lëvizje estetike e kronometruar perfekt rreth njeriut, karakteri. Anagnosti rrëfen se ka bërë ç’ka dashur, në filmat e tij, edhe atëhere, edhe sot. Skalit një Kadri Roshi dhe e bën të pavdekshëm me “kujdestar surrat patate” në “Lulëkuqet mbi mure”, ndërsa rrënqeth tërë ekranin e madh kur projekton sytë e fëmijëve të jetimores teksa ndjekin poezinë “Anës lumenjve” në një interpretim monumental nga aktori i mirënjohur Timo Flloko. Të njëjtën gjë mund të bëjë edhe me Marigonë, që e stërmundon ndërsa përpiqet t’i shpëtojë baltës dhe llohës që se lë të ecë përpara nga barra e shpinës, apo me Vangjelin që “tërbohet” ndërsa është duke u tallur nga i gjithë fshati, apo me Marjana Kondin, që arrin ta largojë nga komedia (pa menduar kurrë se ai edhe mundet të gabojë) duke e sjellë në një film dramatik. Një sy kineasti i pagabueshëm që thuhet nga aktorët me të cilët ka punuar se “Ai nuk të lë kurrë të mbytesh”. Dhimitër Anagnosti është nga kineastët e vetëm që ka aftësinë të jetë brenda dhe jashtë botës së kinemasë, që si një asket e di se mund të influencojë me prezencën, ose mosprezencën e tij ditë pas dite . Duke kontrrolluar të gjitha aspektet e filmit, ai mbetet unik në fillesën dhe vazhdimësinë e realizmit të një filmi, duke punuar me teorinë e përjashtimit dhe jo të justifikimit, me aftësinë për të kuruar të gjithë dialogët dhe montazhin, me dëshirën për të refuzuar disa kushte që për të mbeten të pakapërcyeshme dhe parime të mëdha, pasi ai thotë se“Nuk nisem të pasqyroj ngjarjet, pasi filmi nuk është një pasqyrim fotografik, por pasqyroj njerëzit mbi përgjithësimet filozofike, karakteret dhe magjinë e tyre”.. Qejfmbetjet dhe pengjet..një temë “e vështirë” për tu shpjeguar…rasti më i fundit Festivali i Filmit të 12-të..për të cilin thotë se “Do të flas njëherë tjetër, ndoshta do të shkruaj, ose ndoshta do të them diçka. Tani, jo akoma”. Koka e fantazisë punon për projekte të reja, por nuk tregon asgjë konkrete, duke lënë të vazhdojë misteri rreth tij, rreth emrit, rreth veprës, rreth hermetizmit së komunikimit me median..por e vërteta kokëfortë flet me gjuhën e filmit…ajo është vepra kohore që mbetet.
Koha në një film
“Ka dy lloj kohësh. Koha industriale dhe koha dramaturgjike.. Filmi është një art kohor. Filmi rritet në qartësinë e veprimit dhe koordinimit të të gjithë proceseve. Nuk ngjan me një pikturë, por është si një simfoni, si një balet. Është një kohë tjetër, nuk ka rregulla të përcaktuara”.
Si erdhi filmi i fundit
“Thjesht dhe natyrshëm. Nuk më peshojnë vitet, aspak. Kurosava realizoi një film në moshën 80-vjeçare. Mendoj se shumë kolegë, me filmin tim të fundit, prisnin dështimin tim. Por nuk ndodhi kështu. Nuk më vjen keq për këtë, kolegët e mi janë ata që janë, na bashkon vetëm arti. Ndërsa kam raportet e mia me publikun. Ballafaqohemi me publikun, që është i mrekullueshëm. Ai ma ka kthyer përherë me bujari të madhe”.
Censura e dikaturës
“Nuk mohoj asgjë. E kam shkruar edhe në një artikull timin “Jam ndihmës i Partisë”, se arti kinematografik, në kohën e dikaturës ishte arti i propagandës komuniste. Por, jo të gjithë kemi patur të njëjtat vizione. Kam qenë i ndërgjegjshëm që ky sistem e ka një fund. Këtë e dija, edhe atë tjetrën, se do të përgjigjesha një ditë për filmat e mi. Ndoshta prandaj unë nuk kam krijuar personazhe komikë dhe qesharakë. Kam qenë i idesë që personazhi të mbrojë idetë e veta. Kujtoj filmin “Malet me blerim mbuluar”, i cili për mua mbetet dinjitoz. Nuk më kanë tërhequr ngjarjet. Përpjekja ime ka qenë krijimi i karaktereve. Historia e filmit është historia e artit të personazhit, është “arti i syve”, asaj që buron nga brenda. Kanë qenë karaktere realiste. Kam bashkëpunuar me njerëz të talentuar. Ndoshta kështu kanë mbijetuar filmat e mi”.
Filmat e ndryshimit
“Duel i heshtur” është filmi i parë panoramik. Aty ka ndodhur përmbysja e parë. Kemi një ndryshueshmëri të madhe të personazhit pozitiv, i cili lufton deri në fund për të mirën…dhe sipas porosive të Partisë ai “duhej të mbytej në det”, por ai nuke bën këtë, kthehet fitimtar, duke e pmoshtur të keqen. Tek filmi “Lulëkuqet mbi mure” ka rëndësi fabula. Ishtë një film i vështirë, që nga përzgjedhja e fëmijëve e deri tek karakteret e aktorëve. Kërkova identitetin nëpërmjet fëmijëve. Unë mendoj se nuk mund të perceptohet një jetë pa fëmijët, andaj nuk mund të shoh një film pa praninë e fëmijëve. Në këtë krijim artistik është fabula ajo që krijon metaforën. Flitej për dhunim të personalitetit të njeriut në një sistem të caktuar, (flasim për vitet ’70), nën gjetjen artistike me emrin “brenda fashizmit”. Tek “Përrallë nga e kaluara”më kujtohet se Pëllumb Kulla më tha atëhere, po ku të vajti mendja, o Dhimitër! Kërkova të krijoja një realitet grotesk, karaktere dhe personazhe, edhe jashtë vetë Çajupit..intriga, hilera, manipulime. Filmi sjell një shoqëri pluraliste dhe është bërë nëpërmjet një situate njerëzore dhe parë si në një përrallë. Situata, në një kohë filmike nuk duhet tjetërsuar, kur emocionon atëhere mbetet dhe është e përjetshme”.
Përvoja&eksperienca
“Përvoja si operator, shkrimi si skenarist dhe regjia janë tri elementë që e detajojnë veprën kinematografike në një dorë të fortë. Më duhet dekori që kapërcen syri. Atëhere krijohet ansambli, stafi i punës. Kam punuar me profesionistë të shkëlqyer gjithmonë, por, sot në këtë kohë ne na pengon teknika e vjetëruar, për të realizuar filma të mirë, pasi operatorë, montazhierë, kompozitorë I kemi shumë të mirë. Duhet kuptuar njëherë e mirë se Kinostudio mbaroi. Duhen gjetur mënyra të tjera, nga ana teknike për të mbijetuar. Duhet të ndryshojë ligji, duhet punuar për rregullimin e tij. (Kujtojmë këtu se ia vetë ka qenë një nga ligjbërësit e ligjit “Mbi kinematografinë”)”.
Raporti fjalë-imazh
“Është një raport që mbetet shumë i rëndësishëm. Fjala hyn në veprim , atëhere kur plastika nuk ka mundësi të çojë deri në fund veprimin. Ndihmoj aktorët që të shkojnë aty ku duhet. I kam bashkëpunëtorët e mi dhe në një sheshxhirimi duhet dirigjuar drejt që të kuptohet se kush është diletanti dhe kush profesionisti. Punoj me teorinë e përjashtimit, jo të justifikimit. Arti është përzgjedhje. Asgjë të re s’ka më në këtë botë. Nuk nisem të pasqyroj ngjarjet, pasi filmi nuk është një pasqyrim fotografik, por njerëzit mbi përgjithësimet filozofike, karakteret dhe sjell magjinë e tyre. Arti është krijuar për të dhënë emocione. Nuk është detyrë e artit të rrëfejë ngjarje, ato i takojnë historisë për t’i analizuar. Duhet shumë dashuri për të realizuar një film.
Imazhi i Shqipërisë
“Jemi një shtet i ri dhe një komb i vjetër. Ka një kontradiktë këtu, por ne e kemi treguar se kemi mbijetuar në shekuj dhe unë mendoj se, ajo që kam treguar në filmat e mi ,është vetëm një pjesë e asaj ç’ka janë shqiptarët në të vërtetë. Nuk është ky imazhi, imazh është tregimi i një historie dhe një ngjarjeje të vërtetë. Por ne jemi një komb i lashtë në kërkim të identitetit, në këtë kryqëzim mes Lindjes dhe Perëndimit, një popull me figura të rëndësishme kombëtare që kanë sjellë ndryshime si Fan Noli, Ahmet Zogu, Hasan Prishtina. Por kjo është një temë e gjerë që mund të flasim njëherë tjetër”.
Largohem nga kineasti Dhimitër Anagnosti, duke marrë me vete një kuptim “ndryshe”për filmin..një proces i gjatë në celuloid që krijon më shumë karaktere dhe më pak pasqyrim i ngjarjes reale. Sipas kineastit, kjo temë le t’i mbetet historisë. Më vijnë ndërmend disa fjalë të të famshmit Kubrik kur thotë se “Një film është, ose duhet të ngjajë më shumë me muzikën, sesa me një fiction. Duhet të jetë një progresion i gjendjes shpirtërore dhe emocionit. Fabula është ajo që vjen pas emocionit..gjithçka vjen pas…”….pas më ndjekin sytë e kineastit që përpiqen të thonë se do të donte t’a “kontrrollonte” këtë shkrim..si në një sheshxhirim…si i tërë procesi filmik…por kultura, apo besimi tek gazetarja… e pengojnë të shprehet..iki duke lënë pas një botë të trazuar filmike dhe sy që vëzhgojnë për karakterin e rradhës.
Lazio: Anagnosti, personaliteti shqiptar i kulturës
Nga 21 shtatori -10 tetor 2006 u zhvillua në Lazio, Itali, edicioni i parë i Festivalit “Lazio, mes Europës dhe Mesdheut”, një rast për t’u njohur me horizontet kulturore mes të cilëve lëvizin piktorë, skulptorë, fotografë mesdhetarë, mes vazhdimësisë dhe traditës dhe aspiratës drejt së ardhmes. Giuseppe Talamo, presidenti i Institutit të Historisë del Risorgimento, i dorëzoi çmimin për gjininë audiovizive regjisorit shqiptar, Dhimitër Anagnosti, me motivacionin për “një prodhim kinematografik të gjerë dhe të larmishëm dhe kontributin në kinemanë shqiptare, esenciale për shpëndarjen e kulturës së vendit në tij në botë, kundër çdo lloj regjimi dhe çdo diktature”./KultPlus.com