“Dialogje në tinguj”, koncerti-leksion i mbajtur në Universitetin e Arteve

20 Maj, 2025 - 3:53 pm

Universiteti i Arteve në Tiranë u mbush me dashamirës të muzikës, të cilët iu bashkuan Musica Nova dhe Mikaela Mingës për “Dialogje në Tinguj”, një koncert-leksion me vepra të dëgjuara rrallë ose kurrë më parë në Shqipëri.

Publiku udhëtoi përmes kujtesës, identitetit dhe lidhjes kulturore, me koncertin “Dialogje në Tinguj” i cili përmbante vepra nga Berio, Bartok dhe Buharaja.

“Bachian Reflex” është një vepër për 11 harqe soliste e shkruar nga Edmond Buharaja, pak kohë para se të ndërronte jetë. Ajo cilësohet si një dialog mes të shkuarës dhe të ardhmes, ndërtuar me shumë kujdes nga kompozitori. Ndërsa “Folk songs” është një cikël prej 11 këngësh nga kultura të ndryshme të përpunuara për zë dhe ansambël. Kompozitori Luciano Berio nuk i trajton këto këngë thjesht si materiale folklorike por si një udhëtim që lidh kulturat e traditat.

“Divertimento for Strings” e Bartók është kompozuar në verën e 39-ës, pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore dhe është një nga krijimet e fundit të Bartókut në Evropë. Folklori që dëgjohet është i shpikur, jo citim, por evokim, me të cilin krijon një gjuhë personale, si mjet shprehës i ankthit, kujtesës dhe rezistencës./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme