Diaspora shqiptare në shifra 2020, Instat: Ja sa shqiptarë jetojnë jashtë vendit

18 Dhjetor, 2020 - 4:21 pm

Instat ka publikuar sot raportin e përvitshëm “Dispora shqiptare në shifra”, në kuadër të Strategjisë së Diasporës.

Sipas këtij raporti për vitin 2020 bazuar në vlerësimet e tërthorta, numri i shqiptarëve të larguar pas vitit 1990 llogaritet të jetë rreth 1,68 milionë shtetas jashtë vendit ose rreth 37% të shtetasve shqiptarë gjithsej.

INSTAT vëren se periudhat kohore të formimit të Diasporës shqiptare ndryshojnë. E ashtuquajtura “Diaspora e vjetër” përbëhet nga emigrantë që kanë emigruar para vitit 1944, të cilët konsiderohen diasporë shumë e hershme, si dhe nga ata që u larguan gjatë viteve 1945-1990 dhe që përkon kryesisht me shqiptarët në ish-Jugosllavi.

Ndërsa “Diaspora e re” përbëhet nga emigrantët që kanë emigruar pas viteve 1990 dhe përkon me valën e madhe tëmigrimit pas rënies së komunizmit. Diaspora e vjetër ka qenë e vendosur kryesisht në SHBA dhe disa vende të Evropës Perëndimore, ndërsa diaspora e re është vendosur në Greqi, Itali, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Zvicër, Francë etj. dhe më pak në vendet të diasporës së vjetër.

Ende nuk përllogaritet një shifër e saktë e Diasporës shqiptare për shkak të kompleksitetit që e karakterizon këtë fenomen. Qëllimi i këtij publikimi ështëvlerësimi i numrit të diasporës shqiptare dhe profilit të saj mbi karakteristikat bazë demografike dhe sociale. Për të arritur në statistika edhe më gjithëpërfshirëse.

Në një analizë të periudhës 1995-2019 vihet re që numri i emigrantëve në Itali, Greqi dhe ShBA është rritur në mënyrë intensive gjatë pesëvjeçarëve 1990–1994 dhe 1995–1999, të cilat përbëjnë periudhën e emigracionit masiv të shqiptarëve. Gjatë viteve 1990 –1994, numri i emigrantëve shqiptar në Greqi, Itali dhe ShBA rritej çdo vit me rreth 30 % të numrit të vitit paraardhës. Këto norma bien në rreth 11 % gjatë periudhës 1995 –1999. Pas vitit2000, norma e rritjes së numrit të emigrantëve shqiptarë në Greqi bie me shpejtësi dhe arrin në nivele negative gjatë periudhës 2010 –2019. Kjo do të thotë se, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, numri gjithsej i emigrantëve shqiptarë në Greqi po zvogëlohet.

Edhe në rastin e Italisë dhe ShBA, norma vjetore e rritjes së numrit të emigrantëve është zvogëluar në mënyrë konstante duke arritur në rreth 3 % përgjatë periudhës 2015 –2019. Nga ana tjetër numri i emigrantëve shqiptarë në Gjermani ka ndryshuar me ritme të tjera nga ato të Italisë, Greqisë dhe ShBA-ve. Gjatë viteve 1990 –1994 ky numër rritej me rreth 10 % në vit. Më pas norma vjetore e rritjes u zvogëlua në mënyrë konstante duke arritur në rreth 1 % përgjatë periudhës 2010 –2014. Vetëm pas vitit 2015, numri i emigrantëve shqiptarë në Gjermani filloi të rritej me një normë vjetore prej rreth 35 %, duke e kthyer këtë vend si destinacionin kryesor të tyre. Kjo ka bërë që pesha që zënë emigrantët shqiptarë në Gjermani në numrin gjithsej të emigrantëve të katërfishohet nga 1,3 % në 4,2 %

Të dhënat e censeve të fundit të popullsisë dhe banesave, raundi 2010 tregojnë se 905 mijë individë të lindur në Shqipëri kanë qenë rezidentëtë zakonshëm në 28 vende të Evropës;nga ana tjetër,statistikat që lidhen me shtetësinë tregojnë se 962 mijë shtetas shqiptarë jetojnë në 15 vende të Evropës.Vendet që numërojnë një numër të lartë shtetasish shqiptar,si dhe rezidentë të lindur në Shqipëri janë: Greqi, Itali, Gjermani dhe Britani e Madhe.

Raportin e plotë mund ta lexoni këtu:

/dp / KultPlus.com

Të ngjajshme