Dilemat rreth bartjes së maskave pas vaksinimit

21 Maj, 2021 - 7:38 pm

Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollim e Sëmundjeve kanë rekomanduar gjatë javës së shkuar se personat që janë vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë që të bartin më maska as në ambientet e mbyllura e as në ato të hapura, dhe se mund të mos mbajnë as distancë sociale në shumicën e vendeve. Por kjo gjë ka prodhuar edhe dilema.

Udhëzimet e reja të Qeverisë amerikane lidhur me maskat mbrojtëse kundër koronavirusit për personat e vaksinuar plotësisht i kanë lënë amerikanët të hutuar teksa çështja ka ndikuar edhe që bizneset dhe shtetet federale të mos arrijnë t’i përshtatin masat me rekomandimin.

“Target” dhe “CVS” u bënë kompanitë më të fundit që ua kanë hequr blerësve dhe punëtorëve të tyre domosdoshmërinë për të bartur maska në dyqanet e tyre. Zyrtarët në New York kanë specifikuar se do ta zbatojnë masën që nga kjo javë, përderisa në California është vendosur që të pritet edhe një muaj.

Rreth 123 milionë amerikanë – 37 për qind e gjithë popullsisë – janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19, kurse më shumë se 157 milionë të tjerë, apo 47 për qind, e kanë marrë vetëm njërën prej dy dozave të nevojshme për imunizim.

Cila është këshilla e re?

Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollim e Sëmundjeve kanë rekomanduar gjatë javës së shkuar se personat që janë vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë që të bartin më maska as në ambientet e mbyllura e as në ato të hapura, dhe se mund të mos mbajnë as distancë sociale në shumicën e vendeve.

Vaksinimi i plotë arrihet dy javë pas administrimit të dozës së dytë të ndonjërës prej vaksinave të aprovuara kundër COVID-19, “Pfizer” apo “Moderna”, apo dy javë pas dozës së parë të vaksinës njëdozëshe “Johnson & Johnson”.

“Nëse jeni vaksinuar, po themi se jeni të sigurt, mund ta hiqni maskën dhe nuk jeni në rrezik për t’u sëmurë rëndë apo për t’u hospitalizuar për shkak të COVID-19”, ka thënë drejtoresha e CDC-së, Rochelle Walensky në “Fox News Sunday”. “Nëse nuk jeni të vaksinuar, nuk jeni të sigurt. Ju lutemi që të shkoni e të vaksinoheni ose të vazhdoni me bartjen e maskës”.

A ka përjashtime?

Po. CDC-ja ka specifikuar se të gjithë – të vaksinuarit dhe të jovaksinuarit – duhet që të vazhdojnë të bartin maska në vende të caktuara. Maskat ende janë të obligueshme në mjetet e transportit publik – autobusët, trena dhe aeroplanë – dhe në hapësirat e tjera, si në spitale, burgje dhe në vendet për të pastrehët.

Disa shtete, biznese dhe dyqane po e heqin tanimë masën e vendosjes së maskës për personat plotësisht të vaksinuar, për shkak të ndryshimeve të bëra nga CDC-ja, kurse të tjerët jo. California ka vendosur që të presë deri muajin e ardhshëm për t’u dhënë kohë bizneseve dhe publikut për përgatitje.

Pse është bërë ky ndryshim?

Drejtoresha e CDC-së ka thënë se udhëzimet e reja shkencore të javëve të fundit e kanë mbështetur heqjen e masave për bartje të maskave dhe mbajtje të distancës sociale. Ajo ka shtuar se tanimë ka prova të reja që vaksinat kundër COVID-19 funksionojnë vërtet, se janë efektive kundër varianteve të virusit dhe e parandalojnë shpërndarjen e tij.

Kur ka njoftuar për këshillat e reja, ajo i ka theksuar rënien e infektimeve në SHBA, shpërndarjen e gjerë të vaksinave dhe fillimin e vaksinimit të personave mbi 12-vjeçar.

“Dua të specifikoj qartë se i kemi punuar masat sipas udhëzimeve shkencore”, ka thënë ajo.

Cilat janë vendimet për fëmijët?

Fëmijët, të cilët nuk janë vaksinuar duhet që të bartin maska dhe ta mbajnë distancën. CDC-ja ka rekomanduar se maskat duhet t’i bartin të gjithë fëmijët, duke nisur nga mosha 2-vjeçare. Fjala është për hapësira publike dhe atëherë kur ka njerëz të tjerë në shtëpinë e tyre.

Maskat këshillohen që të barten edhe në shkolla. Kjo gjë nuk do të ndryshojë gjatë këtij viti shkollor dhe “do të punojmë për udhëzime në shkollë për vjeshtë”, ka thënë Walensky.

Ajo ka theksuar se disa fëmijë mund të mos e kuptojnë pse duhet të bartin maska, kur pjesa tjetër e familjes jo.

“Mendoj se ky vendim duhet të merret brenda familjeve”, ka thënë ajo.

Por, a mund të vazhdohet me bartjen e maskës?

Sigurisht që po. Me gjithë udhëzimet e ndryshuara, “nuk ka nevojë që të gjithë t’i heqin maskat menjëherë”, ka thënë Walensky, duke folur së fundi për “NBC News”. “Është vështirë që t’i ndryshojmë shprehitë dhe nuk ka ndonjë ligj që nuk duhet ta mbani maskën më”, ka thënë ajo.

Në përgjithësi, ende nuk ekziston ndonjë sistem që i kontrollon të dhënat e vaksinimit të atyre që nuk bartin maska. Shkollat, bizneset dhe vendet e tjera mund të kërkojnë dëshmi të vaksinimit. Qeveria federale ende nuk ka plane për “pasaportë të vaksinës”.

“Ajo që po kërkojmë nga amerikanët është që të jenë të sinqertë me veten dhe të mos i heqin maskat derisa të jenë të sigurt”, ka thënë Walensky. /ap/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme