Diskutim mbi ‘Hijën e gjatë të Alois Brunner’, reflektime mbi artin dhe jetën e refugjatëve sirianë

17 Maj, 2025 - 9:36 pm

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e djeshme, në kuadër të festivalit ndërkombëtar të letërsisë ‘Polip’, në Teatrin Oda u mbajt një diskutim i thellë me autorët dhe aktorët e shfaqjes “Hija e gjatë e Alois Brunner”, e cila hapi këtë festival me premierën e saj kosovare. Paneli përbëhej nga Mudar Alhaggi, Wael Kadour dhe Mohamad Al Rashi dhe u moderua nga Alban Beqiraj.

Diskutimi, që pasoi premierën e natës së hapjes, nuk u ndal vetëm te struktura dhe përmbajtja e shfaqjes, por u shtri në reflektime personale mbi përvojën e të qenit refugjat në Gjermani dhe Francë.

Mudar Alhaggi, dramaturgu i shfaqjes, ndau për herë të parë mënyrën se si historia e kriminelit nazist Alois Brunner  që për dekada jetoi i lirë në Siri  i kishte zgjuar interes të veçantë, për shkak të një paralelizmi të hidhur.

“E mbaj mend sikur të kishte ndodhur së fundmi, në vitin 2020, ndoshta 2021, kur për herë të parë dëgjova për historinë e Alois Brunner. Ajo që më tërhoqi më së shumti vëmendjen ishte fakti se bëhej fjalë për një kriminel lufte gjerman që ishte arratisur në Siri, pra ai ishte një lloj refugjati. Dhe unë jam një refugjat në Gjermani, një refugjat sirian në Gjermani”, tha Alhaggi duke shtuar se ajo që e shtyu më thellë në këtë projekt ishte një pyetje thelbësore që, sipas tij, shënjoi të gjithë procesin krijues.

“Vendosëm të bëjmë një shfaqje për Alois Brunner. Po pse po e bëjmë këtë? Pse duam të bëjmë një shfaqje për Alois Brunner? Kjo pyetje na udhëhoqi gjatë gjithë procesit deri në fund fare, deri në momentin e premierës që e patëm në Gjermani”, tha Alhaggi

Ndërkohë, Mohamad Al Rashi, një nga aktorët dhe bashkëpunëtorët në këtë projekt, ndau përvojën e vështirë dhe komplekse të ndërtimit të karakterit të Brunnerit  figurë historike por njëherësh e mjegullt, në kufijtë midis reales dhe imagjinares.

“Për mua, por edhe për ne si partner, na u duk paksa e tepruar kur unë kalova, le të themi, te personazhi i Alois Brunner. Dhe patëm një diskutim të madh: a është ky me të vërtetë Alois Brunner, apo është imagjinatë? U përballëm me këtë problem edhe për shkak të gjuhës, sepse ai është i huaj, një refugjat. Por pastaj zbuluam se ai flet arabisht shumë mirë. Kështu që arritëm në këtë karakter pak të ekzagjeruar, sepse për ne, sigurisht, ai është një kriminel. Dhe u përballëm me pyetjen: a duhet ta paraqesim atë si një qenie njerëzore apo si një karakter djallëzor? Kështu që, po, arrita në këtë pikë – as krejtësisht njeri, as krejtësisht djall”, u shpreh Al Rashi.

Ndërsa Wael Kadour vlerësoi bashkëpunimin me regjisorin Omar Elerian, si pjesë kyçe e zhvillimit dramaturgjik dhe regjisorial të shfaqjes.

“Që nga faza e shkrimit, kemi pasur shumë takime në Zoom përpara se të fillonin provat, e pastaj pesë javë prova intensive. Dhe siç e thamë, Omar Elerian ka dhënë kontribut të madh edhe sa i përket dramaturgjisë. Gjatë javës së parë, dhjetë ditëve të para të provave, kur unë dhe Mudari thjesht e vumë tekstin në mur dhe e lexuam të gjithin, bëmë zgjedhjet në mënyrë kolektive – kjo për mua ishte një përvojë shumë e pasur. Kur vërtet shikon një regjisor me përvojë dhe shumë të talentuar, i cili është jashtëzakonisht i hapur për të diskutuar, për të folur, për të rishikuar mendimin e tij çdo mëngjes, në skenë. Omar ishte gjithashtu shumë i qartë në zgjedhjen e tij për të qenë vërtet minimalist, duke punuar shumë më tepër me aktorët sesa me skenografinë”, theksoi Kadour.

Më tutje, dramaturgu Mudar Alhaggi, foli edhe për vështirësitë që hasin ata si refugjatë teksa bëjnë teatër, duke pasur gjithmonë pas vetes hijen e asaj se çka ka ndodhur dhe po ndodhë në
Siri.

“Ndërsa  po punonim në këtë projekt, dhe në përgjithësi kur bëjmë teatër, gjithmonë e ndjekim çfarë po ndodh në botë, çfarë po ndodh në Siri, në Palestinë, në Evropë. Thjesht ndjekim lajmet dhe ajo na çon në një ndjenjë dëshpërimi, në një pikë ku nuk ka më shpresë, ku gjithçka duket pa kuptim. Kështu që ndonjëherë mendon, ndoshta është frikshme të vazhdosh kështu. Dhe unë e shoh që ndoshta ndihmon për të lexuar historinë ndryshe, ose jo ndryshe, por në një mënyrë ku lidhim ngjarjet me njëra-tjetrën, lidhim të kaluarën me të tashmen. Këtë e përmenda edhe në fund të shfaqjes mbrëmë, kur thashë: “Unë jam këtu në Gjermani sepse jam refugjat – sepse isha qytetar në një vend, në një shtet të kontrolluar nga një diktator që ishte këshilluar nga Brunner. Dhe Brunner-i ndoshta ndihmoi, ndoshta më shumë se thjesht ndihmoi, në ndërtimin e sistemit të sigurisë në Siri. Që është pikërisht ai sistem që shkatërroi vendin, shkatërroi njerëzit”, tha Mudar Alhaggi

Ndërkaq, aktori Wael Kadour, shpalosi përvojën personale, duke theksuar që ndjehen gjithmonë sikur kanë humbur shpresën dhe të drejtën për një jetë më të mirë.

“Dua të them, përgjigjja ime për këtë pyetje do të ishte shumë personale. Ashtu siç e përmendi edhe Modar, për mua, dhe besoj se mund të flas edhe në emër të kolegëve të mi, veçanërisht pas viteve 2020 dhe 2021, pas pandemisë dhe pas luftës në Ukrainë, dhe pas gjithë këtij fenomeni të “lodhjes nga Siria”, kur të gjithë thjesht harruan çfarë po ndodhte në atë pjesë të botës. Pra, ne që jemi emigrantë apo në mërgim në Evropë, jemi harruar dhe kemi humbur krejtësisht, tani po flas vetëm për veten time, kam humbur plotësisht çdo shpresë për një ndryshim në jetën time personale apo politike në vendin tim. Dhe siç po thosha, në ushtrimet tona shumë personale, kur flisnim për veten, sepse në atë periudhë koh, midis pandemisë dhe pak para rënies së regjimit, isha në një gjendje shumë të vështirë personale, duke përdorur antidepresivë. Dhe mes gjithë kësaj, po bëja këtë jetë paralele të provave për shfaqjen. Për mua, ndjehej sikur po humbja të drejtën për një jetë më të mirë, sikur gjithçka kishte marrë fund”, u shpreh Kadour.

E pas këtij diskutimi, u hap edhe pjesa ku pjesëmarrësit patën mundësi të bëjnë pyetje e të shtojnë komente rreth shfaqjes por edhe rreth përvojës personale të filmbërësve sirianë./KultPlus.com

Të ngjajshme