Disney tashmë ka arritur rekordin e vet vjetor të fitimit në kinema

1 Gusht, 2019 - 3:00 pm

Supozimet se Disney sivjet do të dominojë absolutisht në arkat kinematografike janë realizuar. Por askush nuk e priste që studioja të arrijë fitime rekorde për vetëm shtatë muaj.

Rekordin e mëparshëm Disney e realizoi në vitin 2016 kur në kinema arritën hitet pas përfundimit të blerjes: në atë kohë patëm rastin të shikonim filma si Star Wars: The Force Awakens dhe Rogue One (Lucasfilm), Captain America: Civil War (Marvel), Finding Dory (Pixar) dhe Zootopia. Ishte ky viti i parë që Disney i fitoi 3 miliardë dollarë në tregun vendor (SHBA dhe Kanada), ndërsa të ardhurat totale në të gjithë botën arritën në 7.61 miliardë dollarë.

Kjo shifër e madhe tashmë është tejkaluar nga vetë Disney falë Lion Kingut dhe tani fitimet janë 7.67 miliardë dollarë, pra për shtatë muaj. E gjitha filloi në fillim të vitit me hitet Mary Poppins Returns dhe Ralph Breaks the Internet; në mars arriti Captain Marvel i cili i fitoi 1.12 miliardë dollarë në të gjithë botën, ndërsa fitimi më i madh u realizua nga Avengers: Endgame me 2.79 miliardë dollarë dhe u bë filmi me fitimet më të larta në botë. Filmi i animuar Toy Story 4 i fitoi 917 milionë dollarë ndërkohë që ende po shfaqet nëpër kinema. Një pjesë e mirë e të ardhurave erdhën nga versioni filmik i Aladdinit, ndërsa në kinema kohët e fundit arriti edhe Lion Kingu i sipërpërmendur, duke i fituar gati një miliard në të gjithë botën për rreth dhjetë ditësh. Dështimi i vetëm këtë vit ishte Dumbo me një fitim “të vogël” prej 352 milionë dollarësh.

Mos të harrojmë se na presin edhe disa hite të mëdha potenciale gjatë tremujorit të fundit: në tetor mbërrin Maleficent: Mistress of Evil me Angelina Jolie (vazhdim i Maleficent nga viti 2014), në nëntor arrin Frozen 2, origjinali i të cilit në vitin 2013 i fitoi 1.3 miliardë dollarë, ndërsa në dhjetor do të shfaqet Star Wars: The Rise of Skywalker. /KultPlus.com

Të ngjajshme