Dita Botërore e Bikinit, historia e një veshjeje ikonike

5 Korrik, 2025 - 3:45 pm

Kostumi i plazhit, bikini, i shpikur më 5 korrik 1946 në Paris “mbush” sot 79 vjeç. Një veshje ikonike dhe sinonim i lirisë dhe emancipimit, sipas “iodonna.it”.

Një veshje e preferuar e yjeve të Hollivudit dhe çdo gruaje të zakonshme, të çdo moshe dhe origjine, bikini u shfaq në verën e vitit 1946 – falë stilistit francez i cili krijoi prototipin e parë, të quajtur Atome.

Më 5 korrik, Louis Réard i ofroi një striptisteje 18-vjeçare nga Casino de Paris – Micheline Bernardini, të pozonte me rroba banje më të vogla se prototipi ekzistues.

Një prototip që vetë rrobaqepësi e kishte përcaktuar si “rrobat e banjës më të vogla në botë”.

Parada në ambjentin e pishinave Molitor ishte e paharrueshme, aq sa në vitin 2015, në të njëjtin vend, u mbajt një festë për atë ngjarje historike.

Ndërsa shumë figura e quajtën atë një skandal – Vatikani e quajti atë një veshje imorale dhe mëkatare – suksesi ishte i pabesueshëm.

Vetë Micheline Bernardini mori 50 mijë letra, shumë deklarata dashurie dhe po aq shumë propozime martese.

Prototipi i Réard – i përbërë nga trekëndësha pëlhure të fiksuara së bashku me spango – u quajt “bikini”, njësoj si Atoli i Paqësorit – ku vetëm pak ditë më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin kryer bombardimin e parë të “Operacionit Crossroads”, si një test bërthamor.

Kontributi i kinemasë dhe Brigitte Bardot

Një nxitje e rëndësishme drejt hyrjes së bikinit në kulturën e kostumeve të banjos popullore – erdhi falë kinemasë.

Ndër aktoret e para që shpallën publikisht dashurinë e tyre për këtë veshje inovative – ishte Brigitte Bardot.

Ajo e veshi atë në Rivierën Franceze gjatë pushimeve të saj dhe gjithashtu në filmin “Manina, Vajza me Bikini” në vitin 1952.

Në ato vite, shumë plazhe në Australi, Belgjikë, Spanjë, Portugali dhe Itali ende e kishin të ndaluar përdorimin e këtij kostumi në publik.

Ndërsa vitet kalonin, gjithnjë e më shumë aktore e zgjodhën atë në ekranin e madh dhe në jetën reale.

Ndër më ikoniket në vitin 1962, ishte Ursula Andress – e veshur me një bikini të bardhë me kupa të mbushura – në “Dr. No”, seria e parë e sagës “James Bond”.

Bikini tani është një nga artikujt e veshjeve më “popullor” dhe sinonim i normalitetit për shumë gra me pushime në plazh.

Por për të arritur në këtë pikë, iu desh t’i rezistonte kohës, të kapërcente paragjykimet, të ecte në valën e emancipimit femëror./atsh/

Të ngjajshme