20 Maj, 2025 - 3:18 pm
20 maji është Dita Botërore e Metrologjisë. Në përvjetorin e 150-të të Konventës së Metrit, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, përmes një postimi në rrjetet sociale tha se, nderojmë themelin mbi të cilin ndërtohen besimi, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe zhvillimi i qëndrueshëm nëpërmjet matjeve të sakta.
Tema e Ditës Botërore të Metrologjisë, për 2025-ën është “Matjet për të gjitha kohërat, për të gjithë njerëzit”.
“Ky nuk është vetëm një slogan, por një reflektim i rolit jetik që luan metrologjia në jetën tonë të përditshme, nga siguria ushqimore, tek teknologjia, shëndetësia dhe tregtia globale”, shkroi ministri Gonxhja.
Shqipëria e përfaqësuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, është anëtare e asociuar e Byrosë Ndërkombëtare të Peshave dhe Masave (BIPM) prej vitit 2007 dhe aspiron së shpejti anëtarësimin me të drejta të plota.
Anëtarësimi i Shqipërisë me të drejta të plota në BIPM është një hap strategjik me rëndësi për ekonominë dhe të ardhmen Europiane të vendit, i cili kontribuon në: njohjen ndërkombëtare të sistemeve tona të matjes; rrit besueshmërinë e eksporteve; na bën pjesë të vendimmarrjes globale për standardet metrologjike; mundëson qasje në bashkëpunime shkencore elitare; nxit zhvillimin teknologjik në vend; garanton matje të sakta në fusha jetike dhe me ndjeshmëri publike, si shëndetësia, energjia dhe mjedisi./atsh/KultPlus.com