Dita e dytë e edicionit të 13 të festivalit Anibar vjen me aktivitete të shumta

15 Korrik, 2022 - 11:05 am

Edicioni i 13-të i Festivalit të Filmit të Animuar Anibar vjen me një program të bujshëm, i cili përfshin aktivitete të shumta.

Gjatë ditës u mbajtën tre punëtori nga Andy London – “Deluzione të Animuara”; Marcus Grysczok – “Si të Bëhesh Animator i Stop Motion” dhe Kristina Saganova – “Animacioni dhe Realiteti i Shtuar”.

Shfaqja e filmave filloi nga ora 12:00 në Kinemanë Jusuf Gërvalla me shfaqjen e garës së filmave të metrazhit të gjatë ku u shfaq filmi “Dozens of Norths”. Po ashtu, në ora 12:00 në teatrin Istref Begolli filloi edhe shfaqja e filmave për programin e fëmijëve të moshave 4+.

Ndërsa, programi i fëmijëve të moshave 9+ u mbajt me fillim nga ora 14:00 në Kinemanë Jusuf Gërvalla. Shfaqja e “Garës Ballkanike” solli për publikun një numër të filmave të prodhuar në vendet e rajonit (Slloveni, Kroaci, Serbi, Greqi), ndërsa publiku pati mundësinë të shijojë edhe premierat e “Shpija” nga Flaka Kokolli dhe “Magneti” nga Arvan Berisha, dy filma të animuar të prodhuar në Kosovë.

Dita vazhdoi me programin e veçantë: Scratch, Crackle dhe Pop: Filmat of Steven Woloshen. Gjatë këtij programi u prezantuan disa nga filmat e shkurtër të animuar të Steven Woloshen, të krijuara ndërmjet viteve 1983 dhe 2022.

Ndërsa, pas përfundimit të shfaqjes së filmave Steven ishte i gatshëm t’ju përgjigjet pyetjeve nga publiku, ku ai shpalosi më shumë detaje rreth punës së tij.

Përgjatë ditëve të festivalit përveç shfaqjes së filmave e masterklasave, vizitorëve të festivalit do t’u ofrohet hapësira për të ndjekur nga afër edhe një seri panelesh me folës të shquar.

Në ora 17:00 në Galerinë e Arteve në Pejë, filloi paneli i parë për këtë edicion, ku përgjatë një ore të pranishmit diskutuan mbi pavarësinë e artit në Ballkan nëpërmjet animacionit.

Nga ora 20:30 në Kino Liqeni filloi shfaqja e filmave të garës ndërkombëtare, ku u shfaqën gjashtë filma për të pranishmit.

Duke vazhduar pastaj me garën e studentëve në Kino Kubat. Nata përfundoj me argëtim nën tingujt e muzikës nga Sahati dhe Eptani, duke përmbyllur kështu natën e dytë të “Bestytndejave” të Anibar-it.

Edicioni i 13 i festivalit me një program të larmishëm me shumë aktivitete të ndryshme do të vazhdoj çdo ditë deri më 19 korrik në qytetin e Pejës. /KultPlus.com

Të ngjajshme