26 Korrik, 2025 - 3:08 pm
Dita e pestë e festivalit Prizren Fest nisi me workshopin kreativ për fëmijë, i cili ka filluar që nga data 21 korrik. Ky aktivitet ka krijuar një hapësirë ku zëri dhe imagjinata e të vegjëlve janë bërë pjesë e udhës artistike që po ndërtohet ndërkombëtarisht në qytetin historik të Prizrenit.
Në mbrëmje, skena teatrore u ndez me dy shfaqje të fuqishme dhe përmbajtësore, të cilat trajtuan tema si identiteti, liria dhe e kaluara e vështirë.
Në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu” u dha shfaqja “Unë jam vetë grua”, me regji nga Kushtrim Koliqi dhe interpretim të fuqishëm nga Adrian Morina. Shfaqja solli në skenë historinë e Charlotte von Mahlsdorf, një grua transgjinore gjermane që i mbijetoi nazizmit dhe regjimit komunist.
Bazuar në dramën fituese të çmimeve Pulitzer dhe Tony të Doug Wright, kjo vepër sjell këtë figurë të jashtëzakonshme përmes më shumë se 30 personazheve të interpretuar nga një aktor i vetëm – një dëshmi artistike e transformimit, qëndresës dhe të vërtetës personale.
Shfaqja “P’tit Jean Le Géant” nga Franca u prezantua në oborrin e Katedrales Katolike. Në një skenografi simbolike dhe hapësirë shpirtërore, trupa franceze Compagnie Liria solli shfaqjen “I vogli Zhan gjigandi” – një rrëfim i thellë për një ish-gjeneral që përpiqet të fshijë të kaluarën përmes një ekzistence të re në periferi.
Ngarkuar me fantazmat e fajit dhe kujtimeve, shfaqja përshkoi kufirin e hollë mes realitetit dhe imagjinatës, me gratë si figura të forta që mbajnë peshën e historisë dhe sfidën për bashkëjetesë në kohë krize.
Gjithashtu, skena e fëmijëve mirëpriti performanca nga Bullgaria dhe Kosova, duke mbajtur të gjallë dimensionin e lojës, edukimit dhe bashkëpunimit kulturor mes kombeve.
E gjithë mbrëmja u mbyll me zërin e këngëtares së njohur Vesa Smolica.
Sonte, festivali vazhdon me një program të pasur artistik, duke përforcuar mesazhin se teatri është zë që sfidon harresën, heshtjen dhe frikën./KultPlus.com