Dita e themelimit të Kombeve të Bashkuara

24 Tetor, 2023 - 10:38 am

Dita e Kombeve të Bashkuara, më 24 tetor, shënon përvjetorin e hyrjes në fuqi në vitin 1945, të Kartës së OKB-së. Me ratifikimin e këtij dokumenti themelues nga shumica e nënshkruesve të tij, përfshirë pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Kombet e Bashkuara u krijuan zyrtarisht.

“Nuk ka asnjë organizatë tjetër globale me legjitimitetin, fuqinë e mbledhjes dhe ndikimin normativ të Kombeve të Bashkuara. Asnjë organizatë tjetër globale nuk u jep shpresë kaq shumë njerëzve për një botë më të mirë dhe për të bërë të mundur të ardhmen që duam”, shkruhet në faqen zyrtare të OKB-së.

Rrallëherë ka qenë më e madhe se sot, urgjenca që të gjitha vendet të bashkohen dhe të përmbushin premtimin e Kombeve të Bashkuara.

Dita e OKB-së, e festuar çdo vit, ofron mundësinë për të përforcuar axhendën e përbashkët dhe për të riafirmuar qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së që kanë udhëhequr gjatë 78 viteve të fundit./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme