12 Gusht, 2025 - 9:30 am
Çdo 12 gusht, bota nderon energjinë, ëndrrat dhe guximin e brezit të ri, Ditën Ndërkombëtare të Rinisë. E shpallur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1999, kjo ditë synon të njohë rolin vendimtar të të rinjve në ndërtimin e një bote më të drejtë, më të gjelbër dhe më humane.
Rinia është motori i ndryshimit shoqëror. Ata janë zëri që sfidon padrejtësitë, mendja që shpik ide të reja dhe zemra që beson se e pamundura mund të bëhet e mundur. Janë ata që nuk frikësohen të ëndërrojnë dhe të gabojnë, sepse e dinë se çdo hap përpara nis nga guximi për të provuar, transmeton KultPlus.
Por përtej festës, kjo ditë është edhe një thirrje për veprim, për të investuar te rinia me arsim cilësor, mundësi punësimi, barazi dhe hapësira për krijimtari. Sepse rinia nuk është thjesht e ardhmja, ajo është forca që po e ndryshon botën tani.
Në një kohë sfidash globale, nga ndryshimet klimatike te pabarazitë sociale, të rinjtë mbajnë pishtarin e shpresës. Sot, le t’i dëgjojmë, t’i mbështesim dhe t’i besojmë. Sepse e ardhmja nuk është vetëm e tyre, e ardhmja janë ata./KultPlus.com