Djali i Martin Luther King-ut: Babai do të ishte shumë i dëshpëruar me gjendjen e kombit

19 Janar, 2021 - 10:24 am

Martin Luther King Jr III, djali i madh i ikonës për mbrojtjen e të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara, Martin Luther King, tha se babai i tij do të ishte shumë i dëshpëruar me gjendjen e kombit, nëse ai do të ishte gjallë.

“Babai im gjithmonë besonte në popullin e kombit tonë. Qartazi, ai do të ishte thellësisht i dëshpëruar me atë se si kemi zgjedhur të sillemi në këtë moment, por më e rëndësishmja, ndoshta i zhgënjyer me komandantin suprem (presidenti i ShBA-së), sepse komandanti suprem duhet t’i bëjë bashkë njerëzit dhe jo t’i bëjë bashkë që në fakt ta pengojnë qeverinë”, tha ai.

“Nëse ai do t’i shihte problemet e varfërisë dhe pabarazisë sa u përket të ardhurave, të cilat ekzistojnë sot, do të ishte shumë i zhgënjyer”, shtoi i biri i figurës së famshme botërore.

“Ai kuptonte që jemi Shtete të Bashkuara të Amerikës, jo shtet i ndarë i Amerikës, dhe do të na thoshte që ne të afrohemi me njëri-tjetrin, jo ta bëjmë cak njëri-tjetrin”, tha më tej Martin Luther King Jr.

Djali i udhëheqësit të famshëm të lëvizjes për të drejtat civile tha se beson që presidenti i zgjedhur, Joe Biden, dhe administrata e tij duhet të përqendrohen në udhëheqjen e vendit dhe ta bashkojnë popullin për t’i adresuar të gjitha çështjet që e prekin Amerikën, përfshirë pandeminë e koronavirusit, brutalitetin e policisë dhe ndryshimet klimatike, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

Sipas tij, do të nevojitet kohë që shteti ta tejkalojë atë që e quajti moment shumë të vështirë. “Do të bëjmë më mirë. Jemi shumë më mirë sesa sjellja që e kemi parë ditëve të fundit”, tha ai. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme