Djali i Smajl Hajdaraj: Babai e dinte se do të ekzekutohej, thoshte “cili jemi tash në radhë”

17 Janar, 2022 - 9:30 pm

Një prej vrasjeve më të rënda të pasluftës në Kosovë ka ndodhur 20-vite më parë, më 17 janar të vitit 2002, kur ish-deputeti i LDK-së Smajl Hajdaraj ishte qëlluar për vdekje në hyrje të banesës së tij në Pejë.

Vrasja e Smajl Hajdarajt nuk është zbardhur ende.

Djali i Smajl Hajdarajt, Shpëtimi, thotë se si familje kanë parë që nuk ka vullnet për të zbardhur vrasjen e prindit të tij.

“Duhet ta kemi parasysh faktin se edhe vrasja është bërë në mënyrë shumë profesionale dhe shumë pak prova kishin lënë vrasësit”, tha ai në RTV Dukagjini, percjell Telegrafi.

Ai thotë se prindi i tij u vra rreth orës 20:00 në hyrje të banesës familjare në lagjen Fidanishte të Pejës.

“Sipas ekzaminimeve kanë qenë dy ekzekutor që i kishin zënë pritën babit. Dyshohet se ata e kishin përcjellë gjatë gjithë kohës”, tha ai.

Djali i Smajl Hajdarajt thotë se për prindi i tij gjatë gjithë kohës ka qenë i vetëdijshëm se do ta vrasin.

“Mund të them se që nga koha e luftës ka pasur shqetësime se mund ta vrasin. Madje ai e dinte se do ta vrisnin pasi të gjithë anëtarët e LDK-së vriteshin në rrethana të njëjta. Pas vrasjes së Xhemajl Mustafës, Ismet Rracit, Shaban Manajt, Shefki Popovës etj., ai thoshte se cili jemi në radhë”.

Shpëtim Hajdaraj thotë se vrasja ishte politike dhe se nuk ka dyshime që vrasësit ishin shqiptarë.

Ai thotë se babai ka marrë kërcënime kohë pas kohe nga persona të ndryshëm, që thotë se edhe vet prindi i tij në atë kohë i kishte deponuar në organet e drejtësisë.

I biri i Smajl Hajdarajt thotë se shpreson që asnjë vrasje nga paslufta të mos mbetet e pazbardhur. / KultPlus.com

Të ngjajshme