23 Korrik, 2025 - 3:37 pm
Për edicionin e 24-të, DokuNights rikthehet jo vetëm si program muzikor, por si një përvojë e pandashme e DokuFest-it – një ritëm që pulson përtej natës, përtej muzikës. Çdo mbrëmje në skenën Sonar, në kalanë e Prizrenit, shndërrohet në një udhëtim mes gurëve të lashtë dhe tingujve modernë, duke shënuar një magji të përbashkët që zgjat deri në lindje të diellit.
Kuruar nga Nita Deda dhe Leart Rama, programi i këtij viti përfshin një spektër të gjerë artistësh – nga këngë ceremoniale shekullore, te tinguj bashkëkohorë që shtyjnë kufijtë e muzikës dhe ndjesisë. Mes artistëve të ftuar janë Byron Yeates, dyshja australiane IN2STELLAR, kuarteti ukrainas Dakha Brakha, dhe emra të tjerë të skenës ndërkombëtare si Cinna Peyghamy, YAAND, urbau dhe upsammy me performancën e saj audio-vizuale “Strange Meridians”.
Në skenë ngjiten edhe artistë vendorë që e ndriçojnë kalanë me shpirtin e vendit: Ylli Limani me balada që bashkojnë brezat, Shkodra Elektronike me tingujt retro-futuristë të këngëve tradicionale, si dhe një rikthim i veçantë nga Ibadet Ramadani, që prezanton albumin e saj të ri në vendlindje.
Festivali kulmon me performancën e Orkestrës së Beratit, që sjell tingujt e pasur të muzikës tradicionale shqiptare, ndërsa nata vazhdon me një festë të pafund në kalanë e Prizrenit për të shënuar 10-vjetorin e Sound Metaphors dhe mbylljen e DokuFest 2025 me një udhëtim muzikor nga Sleep D dhe i vetmi Genc Elezaj.
Tri shtigje, një destinacion. Një andërr kolektive që na bashkon çdo natë – deri sa dritat të ndizen sërish për edicionin e 25-të./KultPlus.com