Doli numri i parë i revistës shkencore “Journal of Kosovo Music and Culture”

10 Qershor, 2025 - 2:34 pm

Ka dalë nga shtypi numri i parë i “Journal of Kosovo Music and Culture”, një revistë shkencore e re që synon të ndriçojë trashëgiminë muzikore dhe kulturore të Kosovës përmes studimeve të mirëfillta akademike. Revista, e cila botohet në gjuhën angleze me qasje të hapur, publikohet dy herë në vit nga Genc Bilge (Young Wise) Publishing Ltd, me seli në Turqi.

Në numrin e parë prezantohen katër artikuj shkencorë dhe dy recensione që trajtojnë tema të rëndësishme të historisë, etnomuzikologjisë dhe kulturës muzikore të Kosovës:

• Prof. ass. dr. Rreze Kryeziu Breznica paraqet një pasqyrë të literaturës mbi muzikën artistike në Kosovë gjatë viteve 1975–2015, duke theksuar sfidat e dokumentimit të saj akademik.

• Prof. asoc. dr. Bekim Ramadani analizon figurën dhe kontributin e Lorenc Antonit, një nga personalitetet më të shquara të muzikës shqiptare.

• Prof. ass. dr. Krenar Doli trajton ndjeshmërinë emocionale të këngëve të migrimit dhe rolin e tyre si pasqyrë e realitetit shoqëror në Kosovë.

• Prof. asoc. dr. Holta Kilica sjell një analizë të detajuar mbi jetën dhe veprën e Avni Mulës, një ndër emrat më të njohur të skenës muzikore shqiptare.

Përveç artikujve studimorë, në këtë botim janë përfshirë edhe dy recensione të veprave të rëndësishme:

• Një shqyrtim i librit “Gjurmë të Qamilit të Vogël në muzikë” nga prof. asoc. dr. Albin Sadiku.

• Një analizë mbi veprën e kompozitorit Alus Nus “The Voice of Our Ancestors in the Balkans”, realizuar nga prof. asoc. dr. Hasan Said Tortop.

Revista “Journal of Kosovo Music and Culture” është një nismë e rëndësishme për dokumentimin dhe promovimin e kulturës muzikore të Kosovës, me qëllim që të shërbejë si referencë për studiuesit dhe studentët, si dhe të kontribuojë në ruajtjen e identitetit kulturor dhe trashëgimisë muzikore në rajon./KultPlus.com

Të ngjajshme