21 Korrik, 2025 - 9:30 am
Riti i dollisë zë një vend të veçantë në mikpritjen shqiptare. “Kripë, bukë e zemër” është shprehja që karakterizon mikpritjen shqiptare, ndërsa në shekuj institucioni i mikut ka zënë vend në jetën shoqërore.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit përcolli sot në rrjetet sociale momente nga riti i Dollisë Shqiptare, të shpallur Pasuri Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore si një traditë e lashtë e mikpritjes shqiptare, nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jo Materiale.
Dollia është një kryevepër e ngritjes në piedestal të miqve, të të ftuarëve apo vizitorëve në sofrat shqiptare që simbolizon kulmin e mikpritjes, gëzimit dhe haresë, synon lartësimin shpirtëror të palës pritëse dhe miqve në një event, gosti, dasmë, ceremonial apo çdo festim tjetër.
Dollia përfaqëson kurorëzimin e mikpritjes shqiptare si një institucion unik, tradicional, të lashtë, klasik dhe modern.
Me anë të dollisë, mikpritësi respekton miqtë, të ftuarit apo vizitorët duke sjellë momente solemne e duke i bërë ata të ndjehen si në shtëpinë e tyre./atsh/KultPlus.com