Donald Trump dhe gruaja e tij rezultojnë pozitivë me COVID-19

2 Tetor, 2020 - 9:30 am

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe gruaja e tij, Melania Trump, kanë rezultuar pozitivë me virusin COVID-19.

Kjo u bë e ditur nga vetë Trumpi përmes një “cicërime” në Twitter. Ai nuk ka folur për gjendjen e tij shëndetësore.

“Sonte, unë dhe Zonja e Parë kemi dalë pozitivë me COVID-19 [v.j. sëmundjen që e shkakton koronavirusi]. Do të nisim karantinën dhe procesin e shërimit menjëherë. Do t’ia dalim bashkë”, shkroi Trump në Twitter, në orët e para të së premtes, sipas kohës lokale.

Disa orë më parë, Trump tha se do të nisë procesin e karantinës, pasi një ndihmëse e afërt e tij rezultoi pozitive në testin për koronavirus.

Hope Hicks, këshilltare e presidentit, u diagnostikua më 1 tetor, pas disa udhëtimeve me presidentin këtë javë.

Trump njoftoi në një tjetër postim në Twitter se ai dhe Zonja e Parë janë duke pritur rezultatet e tyre të testit dhe se do të hyjnë në karantinë.

“Hope Hicks, e cila ka punuar shumë, pa bërë asnjë pushim të vogël, sapo ka dalë pozitive me COVID-19. E tmerrshme! Zonja e Parë dhe unë jemi duke pritur rezultatet e testit tonë. Ndërkohë, ne do të nisim procesin e karantinës”, shkroi Trump.

Hicks udhëtoi me presidentin në avionin Air Force One për debatin e parë presidencial, në Kllivllend, më 29 shtator, dhe me helikopterin e presidentit Marine One, për një tubim në Minesota, më 30 shtator.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere, tha përmes një deklarate se presidenti “e merr shumë seriozisht shëndetin dhe sigurinë e vetes dhe të të gjithëve që punojnë në mbështetje të tij dhe të popullit amerikan”.

“Operacionet e Shtëpisë së Bardhë bashkëpunojnë me Mjekun e Presidentit dhe Zyrën Ushtarake të Shtëpisë së Bardhë, për të siguruar se të gjitha planet dhe procedurat përfshijnë udhëzimet aktuale të CDC-së [v.j. Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve] dhe praktikat më të mira për kufizimin e ekspozimit ndaj COVID-19, në masën më të madhe të mundshme, si në kompleks, ashtu edhe kur presidenti udhëton”, tha Deere.

Hicks, më herët, ka shërbyer si drejtore e komunikimeve e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa është ribashkuar me administratën këtë vit, përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Hope Hicks
Hope Hicks

Në muajt e fundit, disa punonjës të Shtëpisë së Bardhë kanë dalë pozitivë me koronavirus, përfshirë Katie Millerin, sekretaren e shtypit të nënpresidentit Mike Pence, dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien.

Shtëpia e Bardhë teston çdo ditë ndihmësit dhe këdo tjetër që bie në kontakt me presidentin.

Nga postimi i Trumpit në Twitter, është e paqartë se çfarë do të përfshijë karantina dhe nëse ai planifikon ta ndalojë fushatën për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

Trump është 74 vjeç dhe kjo e vë atë në rrezik më të lartë nga komplikimet serioze që mund të sjellë koronavirusi.

Koronavirusi ka prekur mbi 7.2 milionë amerikanë. Prej tyre, mbi 200,000 kanë vdekur dhe mbi 2.8 milionë janë shëruar./GazetaExpress/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme