Donjeta Sadiku kualifikohet me sukses në gjysmëfinale të turneut ndërkombëtar “Ballkan”

20 Shtator, 2022 - 6:30 pm

Donjeta Sadiku ka arritur kualifikimin në gjysmëfinale të turneut ndërkombëtar “Ballkan” që po zhvillohet në Sofje të Bullgarisë, shkruan KultPlus.

Në fazën çerekfinale në kategorinë deri në 60 kilogramë, boksierija kosovare triumfoi bindshëm ndaj boksieres evropiane me përvojë nga Franca, Maiva Hamadouche.

Medalistja botërore nuk la asgjë në dorën e fatit dhe befasisë, duke arritur që nga raundi i parë të boksonte në mënyrë taktike kundërshtaren.

Maiva e sulmoi Donjetën gjatë tre raundeve, por boksierija nga Kosova i shmangu në mënyrë profesionale goditjet e francezes.

Donjeta në fund të duelit njëzëri u shpall fituese dhe nesër (e mërkurë) në gjysmëfinale do të përballet me boksieren nga Zvicra, Ana Milisic. /KultPlus.com

Të ngjajshme