Dorothy Parker – zëri poetik amerikan

22 Gusht, 2025 - 9:00 am

Sot, më 22 gusht, kujtojmë lindjen e Dorothy Parker (1893–1967), një prej figurave më të mprehta të letërsisë amerikane. Shkrimtare, poete, kritike letrare dhe dramaturge, Parker u bë e njohur për zgjuarsinë e saj therëse, aforizmat që ende qarkullojnë dhe për mënyrën sesi përziente të qeshurën me trishtimin më të thellë.

E lindur në New Jersey, ajo shkëlqeu në Nju Jorkun e viteve ’20, duke qenë pjesë e famshme e “Algonquin Round Table”, grupit të shkrimtarëve dhe gazetarëve që njiheshin për humorin e tyre të pamëshirshëm. Poezitë e saj të shkurtra, shpesh me fund të papritur, trajtonin tema si dashuria e humbur, vetmia dhe zhgënjimi, por gjithmonë me një kthesë të hollë ironie, përcjellë KultPlus.

Parker ishte gjithashtu një kritike e ashpër e shoqërisë së kohës, një zë i fortë kundër padrejtësive dhe hipokrizisë, duke e shndërruar humorin e saj në armë letrare. Ajo na la mbrapa poezi, tregime dhe shkrime publicistike që edhe sot lexohen me kënaqësi e ndjeshmëri.

Në ditëlindjen e saj, e kujtojmë si një grua që i dha dritë errësirës me shaka therëse dhe plagëve të zemrës u vuri emra që ende na bëjnë të buzëqeshim mes një pikëllimi të ëmbël./KultPlus.com

Të ngjajshme