Down Syndrome Kosova dënon fuqishëm dhunën fizike të raportuar ndaj një fëmije me sindromë Down

10 Korrik, 2023 - 10:35 am

Down Syndrome Kosova ka reaguar me shqetësim pas njoftimit të pranuar në median sociale, facebook ku është raportuar për dhunë ndaj një fëmije me sindromë Down të ushtruar nga përfaqësuesi i qendrës së OPFAKOS në Pejë, me inicialet I.B, në praninë e stafit të OJQ-së në fjalë dhe pjesëmarrësve të tjerë.

Dëshmitari i pranishëm M.M (i gatshëm të dëshmoj para organeve kompetente) raportoj se me datë 6 korrik 2023 në hapësirë publike, plazh në Velipojë, Republika e Shqipërisë, i lartë cekuri ka ushtruar dhunë fizike dhe më pas e ka hedhur në ujë fëmijën duke ia rrezikuar jetën.

Që nga pranimi i këtij informacioni, DSK ka provuar të kontaktoj përfaqësuesit e OPFAKOS ku ka kërkuar që organizata në fjalë të trajtoj rastin konform normave ligjore, por nga përfaqësuesit e tyre kanë marrë përgjigje që qendra e OPFAKOS në Pejë nuk vepron nën ombrellën e OPFAKOS.

“Deri më tani e kemi pasur të pamundur të kemi informacion mbi funksionimin e kësaj qendre në Pejë, ku e njëjta ka organizuar këtë aktivitet në Velipojë. Si DSK, kemi kontaktuar prindin e fëmijës i cili e ka konfirmuar që personi në fjalë ka ushtruar dhunë ndaj fëmijës së tij, por për arsye të panjohura për ne (DSK), prindi nuk ka pranuar të denoncoj rastin. Megjithatë për DSK-ën, çdo formë e dhunës është e papranushme dhe ne ndjejmë obligim ligjor dhe konform misionit tonë t’i marrim masat e nevojshme për trajtim të rastit”, thuhet në njoftim.

Shoqata Down Syndrome Kosova angazhohet vazhdimisht në promovimin, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me sindromë Down si dhe ka zero tolerancë ndaj çdo formë të dhunës ndaj komunitetit tonë. DSK dhe komuniteti i personave me sindromë Down dënon ashpër veprën e kryer nga I.B si dhe i bënë thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese që rasti në fjalë të trajtohet në mënyrë të drejtë dhe profesionale.

“DSK është e gatshme të bashkëpunoj me institucionet në fjalë, në përputhje me Legjislacionin në Fuqi dhe Politikën për Mbrojtën e Fëmijës”, thuhet tutje në njoftim. / KultPlus.com

Të ngjajshme