Drejt përfundimit projekti për rijetëzimin e sallës së koncerteve në Universitetin e Arteve

16 Dhjetor, 2022 - 7:30 pm

Universiteti i Arteve është një tjetër institucion i arsimit të lartë ku ndërhyrjet për rijetëzimin e ambienteve vijojnë.

Aktualisht në këtë godinë po kryhet rikonstruksioni i plotë i sallës së koncerteve, për t’i kthyer gjithë shkëlqimin e humbur ndër vite.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës Elva Margariti, ishin në këtë kantier të hapur, ku prej disa kohësh punohet për ta kthyer sallën e koncerteve në dispozicion të studentëve, pedagogëve si dhe komuniteteve të tjera.

“Këtu në fakt është gjithë godina që është monument kulture i kategorisë së dytë, që do të thotë se ka vlerë për fasadën, por ne e kemi trajtuar të gjithën si monument i kategorisë së parë që do të thotë kemi ruajtur pjesën më të madhe, rreth 90% të elementëve të dekorit. Gjithashtu në holl do të rikuperojmë dhe hapësira që nuk kanë ekzistuar. Do të kemi 455 spektatorë në sallën e re, që do të jetë një nga sallat që më në fund i kthehet komunitetit”, u shpreh ministrja e Kulturës.

Salla e koncerteve është pajisur me teknologji të fjalës së fundit ku një nga risitë është gropa skenike e lëvizshme.

Gjithashtu salla është plotësuar me çdo element të munguar më parë dhe në përfundim të projektit, do të ofrojë kushte e standarde shumë të larta si për artistët, ashtu dhe për spektatorët./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme