Drejtësi për gratë e vrara: Organizohet protestë para Gjykatës Themelore në Prizren

5 Shkurt, 2021 - 1:30 pm

Me 3 shkurt 2021, Gjykata Themelore e Prizrenit e dënoi me 15 vite burgim Ilir Haxhiajn i cili në vitin 2019 e rrahu dhe e vrau bashkëshorten e tij, Hatije Dinën. I dënuari, sipas Gjykatës është dënuar për “lëndim të rëndë trupor” i cili çoi në vdekjen e viktimës.

Për këtë rast kanë reaguar aktivistet/ët, gratë e burrat e këtij vendi, duke u shprehur se ky gjykim është i gabuar dhe si të tillë e kundërshtojnë.

“Ilir Haxhiaj e ka vrarë viktimën dhe ky rast është edhe një rast tjetër i femicidit. Ndërsa trajtimi i tillë i vrasjes së grave nga institucionet përveç që i frikshëm, është duke iu dhënë zemër kriminelëve edhe më shumë!”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, ky vendim i Gjykatës është duke e theksuar edhe një herë qasjen e padrejtë të shtetit ndaj femicidit.

“Përderisa shteti vazhdon të mbajë anën e të fortëve, në duhet të vazhdojmë kundërshtimin tonë dhe t’i kundërvihemi kësaj qasjeje patriarkale dhe paternaliste. Vrasja e grave nga burrat duhet të dënohet më fuqishëm nga institucionet e drejtësisë dhe shteti duhet të merret më seriozisht me jetën e grave.”

Andaj, të revoltuar/a nga ky vendim dhe nga paternalizmi i vazhdueshëm i shtetit, ‘Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist’ kanë organizuar protestë.

Protesta do të mbahet para Gjykatës Themelore të Prizrenit, të hënën, (08 Shkurt) në ora 12:00. / KultPlus.com

Të ngjajshme