Drejtori i Arkivave në Moldavi: Kopje të dokumenteve të princave shqiptarë do t’i rikthejmë në Shqipëri

17 Nëntor, 2023 - 7:45 pm

Drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido dhe homologu i tij moldav, Igor Çashu, u dakordësuan mbi arritjen e një marrëveshjeje të rëndësishme që pasuron arkivat shqiptare.

Në një postim në rrjetet sociali Bido theksoi se “Moldavia bashkëkohore ka vulën e princave shqiptarë të familjeve Lupu dhe Gjika, që e drejtuan principatën moldave për disa shekuj. Me mikun tim, drejtorin e arkivave moldave, Igor Çashu, ramë dakord që kopje të dokumenteve të princave shqiptarë do t’i rikthejmë në Shqipëri, që çdokush të mund të studiojë albanezët e arnautët e cepit veriperëndimor të Ballkanit”.

Me arritjen e kësaj marrëveshje kopje të dokumenteve të princërve shqiptarë të familjeve Lupu dhe Gjika, do të bëhen më në fund pjesë e korpusit dokumentar të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH).

Në këtë mënyrë, studiuesit dhe çdo i interesuar, do të kenë mundësi të thellohem më tepër mbi veprimtarinë e familjeve fisnike me origjinë shqiptarë të Moldavisë.

Këto marrëveshje bashkëpunimi të DPA-së, kanë si synim promovimin e vlerave të çmuara të historisë tonë kombëtare./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme