1 Gusht, 2025 - 2:30 pm
Më 31 korrik 2025, në Tiranë, u nda nga jeta Drita Ivanaj, një figurë e njohur në fushën e kulturës dhe trashëgimisë shqiptare, e bija e patriotit dhe juristit të shquar Dr. Martin Ivanaj dhe mbesa e Mirash Ivanajt, një nga figurat më të ndritura të arsimit dhe historisë shqiptare të shekullit XX.
Me ndarjen nga jeta të saj, Shqipëria humbi një zë të rrallë që ia kushtoi jetën ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë së familjes Ivanaj, si dhe vlerave të çmuara kombëtare. Drita Ivanaj u përkushtua me përulësi dhe dinjitet në mbajtjen gjallë të kujtesës së brezave të mëparshëm, në një kohë kur shumë figura të historisë shqiptare mbetën në harresë.
Ajo ishte bijë e Dr. Martin Ivanajt, jurist dhe studiues i së drejtës zakonore shqiptare, i cili la një kontribut të çmuar në fushën akademike. Me rastin e 100-vjetorit të mbrojtjes së doktoratës së tij në Romë (1921–2021), Drita botoi tezën e doktoraturës së tij në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe italisht, duke e vënë në dispozicion të studiuesve dhe juristëve të rinj. Ky botim përfaqësonte jo vetëm një akt përkujtimor, por edhe një kontribut akademik e patriotik me vlerë të qëndrueshme.
Në hyrjen e këtij botimi, ajo kishte përshkruar me kujdes rrugëtimin jetësor të të atit, të gjyshit dhe të xhaxhait të saj, Mirash Ivanaj, i cili u burgos dhe vdiq nën regjimin komunist për shkak të bindjeve të tij atdhetare dhe lirisë së fjalës.
Drita Ivanaj ishte themeluese dhe Presidente e Fondacionit “Martin & Mirash Ivanaj”, një institucion kulturor dhe arsimor që u shndërrua nën drejtimin e saj në një qendër me mision identitar e kombëtar, me seli në Tiranë dhe në New York. Nën drejtimin e saj, ky fondacion nuk ishte thjesht një institucion formal, por një hapësirë frymëzuese ku përkujtohej historia, çmohej kultura, edukoheshin të rinjtë dhe nderoheshin figurat e ndritura të kombit.
Një nga momentet më të paharrueshme ishte organizimi i një mbrëmjeje solemne në sallën qendrore të Fondacionit, ku Drita Ivanaj prezantoi bashkë me miqtë e saj veprën kushtuar Charles Telford Erickson, mikut të shqiptarëve, përpara një audience të përzgjedhur të përbërë nga personalitete të shumta. Një tjetër veprimtari domethënëse ishte promovimi i novelës “Naltësimi i Iskanderit” të Benjamin Disraelit, në kuadër të përkujtimit të 552-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Ajo gjithashtu nuk harroi të nderonte figurën e Herman Bernstein, ambasadorit amerikan në Shqipëri në vitet ’30, i cili kontribuoi në forcimin e lidhjeve diplomatike dhe kulturore mes SHBA-së dhe Shqipërisë.
Për shumë nga bashkëkohësit e saj, Drita Ivanaj ishte një rojëtare e kujtesës kombëtare, një grua që e jetoi jetën me përkushtim ndaj dijes, drejtësisë dhe atdheut.
Në fjalët e njërit prej bashkëpunëtorëve dhe miqve të saj të afërt:
“Unë humba një mike të dashur, një intelektuale që më frymëzoi, një shqiptare që nuk lodhej së luftuari për të vërtetën, atdheun, dijen dhe nderin.”
Trashëgimia e saj, si një urë mes brezash, do të vazhdojë të jetojë përmes veprës dhe vizionit që ajo la pas./KultPlus.com