Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi nderohen me çmimin “Ditët e Shqipes” për kontributin e dhënë për shtetin e Kosovës

19 Prill, 2022 - 10:00 pm

Trajneri dhe sportistja më e mirë në histori të Kosovës janë shpërblyer sot me çmimin “Ditët e Shqipes”.

Ky nder iu bë atyre në ditën e veteranëve të betejës së Koshares, ku u vlerësua lartë sakrifica e madhe e dëshmorëve në betejën e Koshares.

Organizimi u bë nën patronatin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe ish-brigadës 138 “Agim Ramadani”.

Kuka dhe Kelmendi u vlerësuan lartë për punën dhe përkushtimin e madh në sport, i cili i solli rezultate kulminante Kosovës

Atyre, çmimin ua ndau Rrustem Berisha, ish-komandant i kësaj brigade.

Me këtë rast, Kuka u shpreh i nderuar me çmimin e marrë.

Trajneri pejan shtoi se ai dhe garuesit e tjerë po e ndjekin rrugën e luftëtarëve.

Ndërsa, Majlinda Kelmendi tha se ndihet krenare që e ka ngritur lart flamurin shtetëror të Kosovës.

Ajo ndihet me fat dhe e nderuar që e pati mundësinë t’ia tregojë botës vlerat që i ka vendi i saj.

Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi ia kanë sjell Kosovës sukseset më të mëdha në sport, duke fituar medalje të artë olimpike. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme