Dua Lipa bën thirrje për t’i ndihmuar refugjatët

16 Mars, 2020 - 2:54 pm

Ylli ndërkombëtar i muzikës, Dua Lipa, i ka bërë thirrje fansave të saj t’i dhurojnë sa më shumë të holla Komisionit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, në mes të pandemisë së koronavirusit.

Këngëtarja me prejardhje kosovare, prindërit e së cilës ishin zhvendosur nga Prishtina për në Londër në vitin 1992, u ka kërkuar 40.5 milionë ndjekësve të saj në Instagram që të mendojnë për personat që janë në gjendje më të keqe se ata, dhe të dhurojnë sa të kenë mundësi për organizatën UN, në mënyrë që të sigurohet ushqim dhe barna për komunitetin e refugjatëve, transmeton Koha.

Me publikimin e një fotografie bardhë e zi në rrjetin social Instagram, ku Lipa shfaqej përkrah disenjatorit të njohur italian, Giuliano Calza, këngëtarja kishte shkruar: “Wow, në këtë natë me të vërtetë kemi menduar që viti 2020 do të jetë viti ynë… Jemi duke menduar për të gjithë ju gjatë kësaj kohe të vështirë dhe konfuze. Qëndroni të sigurt, lani mirë duart, qëndroni pranë më të dashurve tuaj dhe më e rëndësishmja mendoni edhe për ata që janë më të pafat. Refugjatët janë disa nga njerëzit më të rrezikuar në këtë planet, që shpesh jetojnë në vende me shërbime të kufizuara shëndetësore. Agjencitë e Kombeve të Bashkuara po punojnë shumë për t’u siguruar që t’iu dalin në ndihmë këtyre njerëzve. Unë e di gjatë kësaj kohe të vështirë disa prej jush mund të mos jenë në gjendje të dhurojnë për UNHCR-në, por nëse keni mundeni, bëjeni këtë gjë sepse ndihma juaj sado e vogël vërtet bën ndryshim për mbrojtjen e refugjatëve dhe komunitetet e tyre nga COVID-19,” kishte shkruar Lipa në Instagram.

Dua Lipa vitin e kaluar foli për vizitën e saj me UNICEF-in në kapin e refugjatëve në Liban, duke thënë se ishte një eksperiencë tejet emocionale dhe personale për të. Pop ylli 24-vjeçar më mirë se askush tjetër mund të jetë mirëkuptuese për refugjatët, marrë parasysh faktin se ajo vjen nga një familje refugjatësh nga Kosova, të cilët ishin larguar në Britani të Madhe për shkak të represionit serb. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme