Dua Lipa gjithnjë kishte menduar se të shkruash këngë të lumtura nuk është ‘cool’

11 Maj, 2020 - 6:30 pm

Këngëtarja 24-vjeçare me famë botërore, Dua Lipa, e cila aktualisht është në lidhje romantike me modelin, Anwar Hadid, ka treguar së fundmi se me albumin e ri, “Future Nostalgia”, ka zbuluar që gjëja më e mirë për të bërë është të jetë e sinqertë në tekstet e këngëve të saj.

Lipa ka treguar se më në fund e ka kuptuar që prapa teksteve që ajo i shkruan, nuk do të thotë se gjithmonë duhet të preken tema pikëlluese.

E pyetur në një intervistë të fundit se çfarë ka mësuar gjatë realizimit të albumit të saj të dytë muzikor, këngëtarja me prejardhje kosovare ka thënë: “Kam mësuar të mos kem frikë nga ndjenjat e mia. Ky album është shumë më i lumtur se incizimi i parë. Për një kohë të gjatë ndjeja sikur mund të shkruaja vetëm këngë të cilat ishin pikëlluese, apo e kishin një kuptim më trishtë prapa tyre. Mendoja se të shkruash tekste të lumtura të muzikës pop nuk do të ishte shumë ‘cool’. Por, mu desh të larohesha nga ky mentalitet dhe të krijoja diçka që ishte e sinqertë por më bënë të lumtur gjithashtu. Mendoj se largimi nga zona ime e rehatisë dhe fakti se po shkruaja mbi eksperiencat e mia personale, më ka bërë shumë të lumtur.”

Edhe pse Lipa mendon se është e frikshme të shkruash tekste kaq të sinqerta, ajo është mësuar ta konsiderojë sinqeritetin e saj si “fuqi” dhe diçka për të cilën duhet të ndihet krenare.

“Unë shkruaj nga eksperiencat e mia personale dhe nganjëherë është e frikshme t’i ndash ato me publikun e gjerë. Por, kam mësuar se nuk duhet të kesh frikë nga ndjenjat dhe ndarja e emocioneve dhe cenueshmërisë tënde me të tjerët. Kjo gjë nuk më bënë të dobët, por më jep më shumë fuqi,” ka deklaruar tutje Lipa.

Ylli i hitit “New Rules” zakonisht e shkruan një këngë për një ditë, por njëra prej hiteve të albumit “Future Nostalgia” i kishte marrë pak më shumë kohë për ta finalizuar.

“Normalisht unë e shkruaj një këngë për një ditë, por ‘Love Again’ më ka marrë pak më shumë koha për ta përfunduar. Të gjitha këngët tjera të albumit janë shkruar brenda një dite, dhe pastaj kanë marrë kohë për t’u incizuar dhe finalizuar deri në elementin e fundit,” ka shpjeguar këngëtarja në intervistën e saj për revistën “GQ”.

Të ngjajshme