Dua Lipa nënshkroi marrëveshjen për krijimin e Sunny Hill Academy në Prishtinë

2 Gusht, 2019 - 12:35 pm

Xhemile Hysenaj

Dua Lipa, Dukagjin Lipa, Shpend Ahmeti dhe Gëzim Gashi, ishin sot të pranishëm në konferencën e përbashkët të Sunny Hill Foundation dhe Sunny Hill Festival, ku u prezantua projekti “Sunny Hill Foundation Music & Art Center” dhe detaje tjera rreth festivalit, shkruan KultPlus.

Dua Lipa u shpreh se, kjo ka qenë një ëndërr e madhe e saj, të ketë një vend apo një qendër ku të rinjt mund të shprehin talentin e tyre, dhe tash që kjo ëndërr po bëhet realitet, une ndihem shumë krenare pasiqë është një projekt shumë i madh për të cilin unë jam e apasionuar ‘’We dream big’’, deklaroj ajo.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti falenderoi Duan dhe Dukagjin Lipen, duke e cilësuar Duan si ambasadoren më të mirë të Prishtinës dhe të Kosovës. ‘’Shumë njerëz për shkak të festivalit, po pyesin se ku është Prishtina, vendi që po vizitohet nga shumë yje botërore dhe merita kryesore për këtë gjë i shkon organizatorëve të festivalit, që për disa ditë, e bënë Prishtinën një qendër për kulturë’’, deklaroi Shpend Ahmeti.

Poashtu, Shpend Ahmeti u shpreh tejet i kënaqur për nënshkrimin e marrëveshjes me Sunny Hill Foundation. Kryetari i komunes deklaroi se nje pjese te objektit te ish ASK-ës do ta japin në shfrytëzim për shkollën e muzikës Prenk Jakova, dhe nje pjese te objektit per Sunny Hill Academy.

Dukagjin Lipa, potencoi se më në fund, përmes këtij projekti, Prishtinës do t’i kthejmë shpirtin e muzikës. Duke falenderuar shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në diasporë, me të cilët Dukagjin Lipa deklaroi se është i kënaqur me bashkëpunimin në mes tyre, ‘’kjo tregon se diaspora është duke përparuar në mënyre individuale, në shumë nivele’’ u shpreh ai.

Për një lajm tjetër të rëndësishëm, u ftua edhe Gëzim Gashi, i cili deklaroi se Sunny Hill Foundation ka ndarë fondin prej 150 mijë eurosh për të jetësuar Qendrën Kulturore e cila do të funksionalizohet gjatë vitit tjetër. Ky është bashkëpunimi i parë në mes të Sunny Hill Foundation dhe Oaks Christian School dhe Institute of Arts and Innovation përfaqësues nga Gëzim Gashi. Tre të rinj nga Kosova do të kenë mundësi që gjatë vitit 2020 të udhëtojnë për Amerikë, si pjesë e Quincy Jones Production dhe Institute of Arts and Innovation. /KultPlus.com

Të ngjajshme