Duke falënderuar deputetët, Kurti reagon për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

14 Korrik, 2022 - 6:30 pm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pas miratimit të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, do të ecin bashkë drejt mundësimit të konfiskimit civil të pasurisë që nuk justifikohet dot, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti ka thënë se ky projektligj, së pari do t’i marrë edhe rekomandimet bazë të Komisionit të Venecias dhe, sipas tij, do të jetë në përputhje me praktikat ndërkombëtare.

Kurti, mes tjerash, ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që e kanë votuar Projekt-kodin e Procedurës Penale, që do të kontribuoj në ndëshkimet e rasteve korruptive.

“Projekt-kodi është hartuar në përputhje me praktikat dhe standardet më të avancuara ndërkombëtare i cili përveç përmirësimit të procedurave penale, do t’i kontribuojë tutje ndjekjes dhe ndëshkimit të rasteve korruptive. Një vëmendje të veçantë i është kushtuar të drejtave të palëve në procedurë, në veçanti të drejtave të palëve të dëmtuara apo viktimave”.

Ky projektligj, sipas të parit të ekzekutivit, parasheh reformimin e pakos së ligjeve anti-korrupsion dhe avancimin e këtij segmenti të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë.

“Përmes këtij Projektligji do të mundësohet krijimi i një klime ku parandalohet dhe luftohet korrupsioni dhe pasurimi i paligjshëm”.

Ndërkaq, sa i përket pjesës së projektligjit për Vettingun, Kurti thotë se duhet të ketë edhe konsultime me partitë opozitare.

“Me fjalë të tjera, ishte një seancë e suksesshme në të cilën më së paku kishte rëndësi sa kujt i dukesha i rrezitur unë. Ndërkohë, procesi i vettingut në sistemin e drejtësisë është një çështje tjetër, dhe konsultimet me partitë opozitare për të sigurisht që duhet të vazhdojnë”, tha ai. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme