Dumoshi i ndan mirënjohje shkrimtarit Shpëtim Selmani, laureat i çmimit të BE-së për letërsi

27 Gusht, 2020 - 5:23 pm

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, priti sot në takim Shpëtim Selmanin, prozator e poet dhe së fundmi laureat i çmimit të Bashkimit Evropian për letërsi, për vitin 2020.

Shkrimtari Selmani ka fituar edicionin e dymbëdhjetë të ndarjes së çmimeve të BE-së për letërsi (EUPL) i cili njeh shkrimtarët nga e gjithë Evropa dhe përfshin 31 vende.

Ky çmim i është ndarë autorit nga Kosova me motivacionin një rrëfim që trajton një larmi temash nga e zakonshmja, e botshmja dhe shpirtërorja duke ndërtuar monologje të brendshme të cilat demonstrojnë transformime njerëzore në mes personazhesh.

Ministrja Dumoshi, si drejtuese e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ndau mirënjohje shkrimtarit Selmani për të arriturat në përmasa ndërkombëtare, në fushën e letërsisë si dhe i bëri dhuratë okarinën – instrumentin e lashtë ilir.

Ministrja u shpreh e lumtur që emrat e shkrimtarëve e artistëve shqiptarë çdo ditë e më tepër po tejkalojnë kufijtë shqipfolës e po njihen ndërkombëtarisht.

Ky është jo vetëm sukses personal por sukses dhe përforcim i imazhit të Kosovës në Evropë e botë – theksoi ministrja Dumoshi. Ajo u zotua se do të mbështesë gjithmonë shkrimtarë që kanë suksese ndërkombëtare të cilët janë ambasadorët më të mirë të vendit.

Shkrimtari Selmani e falënderoi Ministren Dumoshi për pritjen dhe për mirënjohjen e cila është një njohje e kontributit të tij dhe njëkohësisht shtysë për rrugëtimin e tij të mëtejmë letrar. / KultPlus.com

Të ngjajshme